Një vështrim mbi paradoksin e sotëm kinematografik shqiptar
NGA ROBERT ALIAJ DRAGOT robert-aliaj-dragot
Kinemaja në qendër të audiencës: Filmat, që esencialisht kanë qenë një formë e shprehjes artistike, po degradojnë gjithnjë e më shumë përmes një objektivi komercial në parodi televizive në ekrane kinemaje në këtë katundin tonë.
Nevoja për një audiencë tmerrësisht të pakultivuar po errëson qëllimin origjinal të disa “regjisorëve”, duke zhvlerësuar filmin deri në skajet e një prodhimi komercial me përmbajtje të përshtatur për tërheqje masive të vëmendjes dhe jo për shprehje artistike ose shoqërore, duke injoruar krejtësisht impaktin negativ shoqëror në këmbim të përfitimit personal. Jetojmë në një epokë, e cila nëpër shkolla vazhdon të mësojë shkrim dhe këndim, por që është e bazuar te komunikimi nëpërmjet imazhit, edhe pse jemi krejtësisht të paedukuar për ta kuptuar atë. Duhet të bëjmë diçka për të kuptuar rolin e shumanshëm të imazhit në shoqërinë bashkëkohore, sepse po na çon në një deficit të “Arsimimit” mediatik dhe po kontribuon në shtrembërimin e narrativave vizuale.
Na shërben ai si një formë vetdeklarimi? Shkëputje nga realiteti? Apo si provë ekzistence? Po të rikthehemi nja 80 vjet më parë ku ashtu si televizioni që debarkoi si një mjet i fuqishëm për të kuptuar botën, të tjetrit dmth., i krijuar për t’i shërbyer shoqërisë, qytetarisë, ai që do të bënte gjëra pozitive, do ta transmetonte dijen, do të na zbaviste dhe do të na ndriçonte, do të lidhte popujt mes tyre, do të na bënte të kuptonim njerëzit që jetonin në anën tjetër të globit, që do të na sillte paqe në botë etj., etj., por që në fund të fundit po bën krejtësisht të kundërtën.
Pra, jemi në një perspektive krejtësisht të kundërt. Sepse si me televizionin, ashtu edhe me komunikimin dixhital do të jetë shoqëria ajo që do të vendosë mënyrën se si do ta përdorë atë. Për t’u kthyer te shqetësimi im, rreziku që i kanoset kinematografisë, tek komercializimi vs interesit publik: Ky komercializim i industrisë së filmit po ngre pyetje në lidhje me ekuilibrin midis argëtimit lowbrow (forma argëtimit të pasofistikuar, vulgar) dhe adresimit të interesave publike dhe keqkuptimit me filmin e vërtetë artistik.
Le t’i japim fund sa më parë këtij paradoksi kinematografik – tensionit midis krijimit të përmbajtjes për sa më shumë audiencë kundër shërbimit për qëllime më të larta shoqërore. Desha vetëm të tërheq vëmendjen për nevojën e një kuptimi më të thellë të marrëdhënies sonë me imazhin, edukimin, shkrim-leximin mediatik dhe ligjërimin me mendim në lundrimin e kompleksitetit të peizazhit vizual.
Ju falënderoj për durimin
Panorama.al