“Një sprovë e tillë mos i rëntë njeriu”- Ish-kapiteni i Tiranës flet për betejën me tumorin

Ish-kapiteni i Tiranës, Gentjan Muça rreth katër vite më parë fitoi betejën me një tumorin.

Futbollisti, i cili tashmë është pjesë e skuadrës së Prishtinës, u diagnostikua me një masë tumorale beninje, në femurin e majtë.

Gjatë një interviste për “Wake Up”, mbrojtësi uroi që “një sprovë e tillë, mos i rëntë asnjë njeriu”, teksa theksoi se besimi në Zot i dha durim dhe forcë gjatë kësaj periudhe të vështirë për të.

“Është e vërtetë që një sprovë e tillë mos i rëntë asnjë njeriu. Në të tilla raste gjëja e parë që duhet është durimi, që na sprovohet. Nuk ka gjë më të madhe sesa një besimtari t’i dhurohet një durim i mirë, aq më tepër në të tilla raste, ruajtja e qetësisë. Të jesh besimtar nuk është e thjeshtë pasi duhet që çështjen tënde t’ia lësh në dorë vetëm Zotit,”– u shpreh Gentjan Muça.

“Qetësinë e gjete tek besimi?”– iu drejtua moderatori i emisionit.

“Padiskutim, njerëzit reagojnë ndryshe. Besimi evoluon ndër vite, ndoshta para disa vitesh do reagoja ndryshe. Por besimi është skalitur tek unë dhe ka lënë tek unë gjurmë shumë të thella. Zoti ka thënë se në raste sprovash njeriu duhet të bëjë durim fillimisht, të merret me shkaqet dhe pastaj t’i drejtohet atyre që shërojnë”– shtoi Muça.

Futbollisti gjithashtu foli edhe për propozimin si kandidat për deputet në Tiranë nga Partia Demokratike, duke thënë se “e ka mirëpritur” dhe për të ishte një vlerësim.

“Propozimin e kam mirëpritur, sepse është një vlerësim. Aq më tepër në lagjen dhe zonën ku jam rritur, që më kanë mbështetur pa kushte. Kështu që propozimi ishte i mirëpritur nga ana ime dhe për me tepër do ia lëmë kohës,”– përfundoi ai.

Gentjan Muçës rreth katër vite më parë iu desh të luftonte me një tumor, që për fat të mirë rezultoi “beninj”.

Në një rrëfim për “Panorama Sport” në atë kohë, futbollisti tregoi peripecitë që hoqi derisa mundi tumorin.

“Nuk dua që ta bëj dramatike, pasi për fat u mbyll me kaq. Muaji i fundit nuk ka qenë aspak i lehtë për mua, sidomos kur më thanë “ke masë tumorale”. Në korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, që është masë tumorale beninje, te qafa e femurit të majtë. Më 10 tetor dhe operacioni zgjati afro 3 orë, duke përfshirë përgatitjet para ndërhyrjes. Pasi gërryen masën, më vendosën një material me fibra karboni, për të përforcuar strukturën e kockës.

Arsyeja që nuk e bëra publike ishte prej familjes. Nuk doja të bëhesha objekt i mediave, për të shmangur një situatë edhe më të pakëndshme, pasi boll pritja 3-mujore na rëndoi të gjithëve”– u shpreh ai.

Ndërsa rrëfeu sesi zbuloi që kishte tumor, në një periudhë kur të gjithë e dinin se kishte probleme me hernien diskale.

“Ndodhi pas asaj ndërhyrje. Pasi fillova rehabilitimin, po ndieja dhimbje te rrëza e kofshës së majtë. Pas kontrolleve dhe biopsisë që bëra fillimisht në Shqipëri, në muajin korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, e thënë shqip “masë tumorale beninje”. Ishte e lokalizuar me pak fjalë. Më pas mora analizat dhe u nisa në Itali, ku bëra sërish kontrolle të tjera dhe një tjetër biopsi. Spitali në Torino vërtetoi diagnozën që mora edhe në Tiranë,”– tregoi Muça në atë kohë.

/Panoramaplus.al