Një rrëfim për Alpha-n, koncertin që shndërrohet në traditë!
“Vitet do kalojnë, por mua gushti do më mbetet si kujtimi kur bëmë koncertin e madh”… Kështu e nis Noizy ciklin e rrëfimeve për “Alpha show 2”, duke kujtuar sigurisht “Alpha show 1” më 14 gusht të vitit 2022.
Natë që shënjoi jetën, karrierën, qenien e tij si njeri dhe si artist. Në një shesh të mbushur me adhurues të tij, me një qëllim të vetëm, për të shijuar mbrëmjen që ishte më shumë se madhështore. Teksa në mendje kam ende ritmet e muzikës, emocionet, madhështinë e Alpha 1, shpejt do të mbushim sheshin “Nënë Tereza”, për të shijuar koncertin, suksesin e tanimë traditës së Alpha-s. Organizim mbresëlënës, skenë gjigande, mijëra sy e zemra që rrihnin njëherësh në natën që u krijua një histori në muzikë. 21 kolegët e tij e pritën ftesën me kënaqësi, duke u bërë pjesë e kujtimeve të Alpha-s.
“Mbaj mend që 3-4 herë kam shpërthyer në lot, ndonjëherë brenda vetes, para miqve. Mbaj mend para se të ngjitesha në skenë, kur mbaroi koncerti, kur erdhi mami. Kisha merak sepse doja që gjithçka të shkonte mirë, ishte koncerti i parë. Kur je ‘live’ gjithçka mund të ndodhë. 14 gushti ishte bukur. Alpha Show do ta vazhdojmë çdo vit. Dua të bëhet traditë”, thotë Noizy në rrëfimin e tij.
“A ju kujtohet çfarë kemi përjetuar vjet? Këtë herë do të jetë 100 herë më shumë. Ju premtoj”, e përmbyll rrëfimin artisti.
Kjo ishte vetëm pjesa e parë e rrëfimeve sepse ato do të jenë një cikël. Për Alpha-n, për jetën, për kujtimet, për përjetësimin e muzikës. Dhe ne po presim 4 gushtin që Tirana të “digjet” me “Alpha show 2”.