Një muze në shtëpinë e Dritëroit/ E bija: Po zbraz studion-bibliotekë të tij! Me shumë dhimbje do t’u them lamtumirë këtyre…
Qëkurse prindërit mbyllën sytë, njëri pas tjetrit, duket sikur qëllimi i madh i jetës së saj është t’i mbajë ata gjallë përmes kujtimeve.
Nuk ka ditë që Elona, e bija e shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli, por edhe e gazetares Sadije Agolli, që një jetë të tërë iu bë krah dhe gati një gjymtyrë e të madhit të letrave shqipe, të mos ndajë me miqtë, në rrjetet sociale, kujtime të prindërve: rreshta të shkruara me dorën e dridhur të Dritëroit, fotografi, copëza ditari, duke i mbajtur ata të pranishëm jo vetëm në jetën e saj, por edhe të të gjithë atyre që i deshën Dritëroin e Sadijen apo të atyre që po i njohin rishtas.
Përmes një shënimi në “Facebook”, Elona ndan një moment trishtimi, atë të ndarjes nga shtëpia ku është rritur, duke lënë aty një pjesë të vetes së saj, por edhe kujtimet e prindërve. Pas shndërrimit në muze të apartamentit të shkrimtarit Ismail Kadare, në “pallatin e shkrimtarëve”, projektuar nga i ndjeri Maks Velo, duket se i ka ardhur radha edhe apartamentit të shkrimtarit Dritëro Agolli. Këtë e bën me dije Elona përmes shënimit të saj.
“Sot nisa të zbraz studionbibliotekë të tij, pasi shtëpia do të bëhet muze”, shkruan ajo, teksa ia dedikon shënimin e saj “bijve të artit” apo bijve të prindërve të mëdhenj, duke marrë shkas nga vdekja e kantautorit Kujtim Prodani. Si një nismë e Bashkisë së Tiranës, i gjithë pallati në qendër të Tiranës i është nënshtruar restaurimit. Synimi është që ai pallat, i cili mban shumë histori, duke nisur që nga projektimi, të kthehet në një qendër muzeale.
Ish-apartamenti i Kadaresë, restauruar dhe muzealizuar nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni, sot quhet “Shtëpia-Studio Kadare”. Drejt muzealizimit dhe hapjes për publikun po shkon edhe shtëpia e Dritëroit, edhe pse, për të thënë të drejtën, ajo derë ka qenë gjithnjë e hapur për gjithë miqtë e Agollëve, për të njohur e të panjohur, në çdo kohë.
ELONA AGOLLI
Po shkruaj në bllokun e anekdotave që babi ka nisur t’i shkruajë ndoshta për t’u eglendisur.
Babin nuk e kam, e shoh veçse me mendjen time, por edhe me zemrën e shpirtin tim.
Sot nisa të zbraz studionbibliotekë të tij, pasi shtëpia do të bëhet muze. Me shumë dhimbje do t’u them lamtumirë edhe këtyre mureve, asaj arome, këtyre objekteve, mes së cilave jam rritur.
E kështu, me largimin e babit nga jeta fizike, e më pas edhe mami, e ndjeva afër humnerën; tashmë nuk e kapërceja dot humnerën e për rrjedhojë fëmijëria dhe rinia m’u bë e paarritshme, pasi ata me të cilët e lidhja atë, m’u larguan në amshim. Tani jetoj të sotme, jam një Elonë që jetoj të sotmen me ankthin e së nesërmes.
U largua nga kjo jetë, një “figlio d’arte”, Kujtim Prodani, djali i Agim Prodanit dhe Anita Takes. Në moshën 57-vjeçare, në vetmi, në spital, mes atyre që mezi frymë marrin në këtë kohë kolere, kohë pandemie, kohë kovidi.
Vite më parë, një “figlio d’arte” tjetër, Jamarbër Marko, djali i Petro Markos. Edhe ai i vetmuar, paçka se në atë kohë nuk kishte pandemi. Kjo racë bijsh të prindërve shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, shumica e të cilëve të famshëm me artin e tyre në kohëra vështirë të jetueshme, kohëra kur dyzimi ishte i mirëkuptueshëm dhe nënkuptueshëm; e megjithatë ata ishin të mëdhenj.
Arti i madh nuk i njihte vargonjtë, arrinte të këpuste prangat e të jetonte ashtu në liri, në kushtet e asfiksisë së shprehjes për të shumtët. E këta bij artistësh u rritën duke ndjerë përpëlitjet dhe thirrmat e shpirtit të etërve të tyre, u rritën mes aromës së letrës, bojës së shkrimit, penelave e ngjyrave të vajit, pentagrameve e tingujve të pianove apo instrumenteve të tjerë. U rritën thjesht, shpesh të ndjerë nën presionin e autoritetit dhe personalitetit të etërve të tyre, të thërritur shpesh me emrin e prindërve dhe jo me emrin e tyre.
Disa e pranuan heshturazi madhështinë shtypëse të prindërve, disa u rebeluan, duke dashur të dilnin nga kurora e lavdisë së prindërve, që shpesh i bënte hije të madhe e nuk i lejonte depërtimin e rrezeve të diellit. E, megjithatë, u rritën të ndershëm, të ndrojtur, në modesti. Ndoshta edhe të varfër në kohën e demokracisë. Pasi prindërit, pasurinë e vetme që i lanë, ishte arti i madh, ishin veprat e papërsëritshme, por asgjë më tepër. Dhe këta bij arti do duhej të mësoheshin me egërsinë që i rrethonte, me banalitetin, mediokritetin. Askush, për asnjë çast, nuk i ktheu sytë dhe nuk i kthen nga kjo kategori bijsh arti. Ata mbajnë gjenet e prindërve të tyre, ata kanë shumë nga ata; për ata ka nevojë për përkujdesje; ata do të ikin të gjithë pa zhurmë, edhe ndoshta në varfëri, por shoqëria do t’u mbetet borxh. Do vijnë kohëra më të drejta dhe atëherë do të flasin më shumë, jo vetëm për etërit, por edhe për këta “figli d’arte”.