“Një luftë midis të mirës dhe të keqes”- Vëllezërit Klitschko në betejën për Ukrainën: Është toka dhe e ardhmja jonë! Kemi nevojë për…
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko dhe vëllai i tij, Vladimir janë në frontin e parë të luftës, për të mbrojtur vendin e tyre. Në një intervistë për CNN, Vitali ka thënë se “ky është atdheu ynë dhe ne duhet të jemi këtu”.
Të njëjtin mendim, ndan edhe vëllai i tij, Vladimir: “Rrënjët tona janë këtu, të afërmit tanë janë varrosur në këtë tokë, në Kiev”.
Dy ish-kampionët botërorë të boksit, thanë se në dy ditët e para të pushtimit rus nuk kanë fjetur. Ndërsa një muaj më vonë, ata janë përshtatur me këtë mënyrë jetese, duke qëndruar së bashku dhe duke përdorur ndikimin e tyre ndërkombëtar për një mbështetje sa më të madhe për Ukrainën.
“Ne e kuptojmë se është toka jonë, e kuptojmë se është e ardhmja jonë, është liria jonë”, shpjegoi Vitali. “Ne jemi gati të luftojmë për këtë, por kemi nevojë për mbështetje nga e gjithë bota demokratike.”
“Ne kemi nevojë për mbështetje dhe ndihmë nga aleatët tanë, kemi nevojë për më shumë dhe pothuajse kurrë nuk është e mjaftueshme,” shtoi Vladimir.
Ndërsa liderët e NATO-s u mblodhën në Bruksel të enjten, ai ishte i qartë për atë që donte për Ukrainën: “Ne patjetër duhet të mbyllim hapësirën tonë ajrore”.
“Civilët tanë dhe qytetet tona po shkatërrohen dhe po vazhdon ndërsa ne po japim këtë intervistë dhe po flasim për të, luftimet vazhdojnë ende,” tha Vladimir.
“E vërteta është në anën tonë,” tha Vladimir, duke shtuar se “Kjo është një luftë mes së mirës dhe së keqes”.