“Një ditë tjetër në Tironën e Re”, vendoset pllaka emërtuese e sheshit që mban emrin e Dr. Florit

Siç ishte lajmëruar disa muaj më parë, një shesh në Tiranë ka marrë emrin e Dr. Florit, anëtarit të ndjerë të grupit West Side Family.

Tashmë është vendosur edhe pllaka emërtuese e sheshit “Floran Kondi” që ndodhet në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet. Roland Hysi, i njohur si Landi i West Side Family ka ndarë një foto në rrjetet sociale ku shoqërohet nga Kaltrina, vajza e Dr. Florit.

Në postim ai ka përfshirë edhe një strofë nga një prej hiteve të grupit, “Mirëmëngjes” që lidhet bukur edhe me rastin e veçantë.

Mirëmëngjes, përditë e pres një tjetër shpresë

Mirëmëngjes, anonim në k’të rrugë nuk do të mbes

Mirëmëngjes, janë fjalë shpirti të thëna nga ne

Kjo është veçse një ditë tjetër në Tironën e Re…

Landi ka sqaruar në një koment edhe keqkuptimet për emrin pasi shumë njerëz mendonin se në pllakë është shkruar gabimisht “Floran” në vend të “Florian”, por në të vërtetë s’ka asnjë gabim.

Në mars, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u bë i ditur propozimi i njësisë nr.5 për emërtimin e këtij sheshi. Propozimi kaloi filtrat për të vendosur emërtimin në shenjë mirënjohjeje ndaj jetës së shkurtër të artistit, i cili ka lënë pas një trashëgimi muzikore që i mbijeton kohës./tvklan.al