Nicol Spaho, vajza që do na përfaqësojë në “Miss Europa”: Ja disa nga kriteret europiane për bukurinë pa hile

Nicol Spaho është 23 vjeçarja që fitoi kurorën e “Miss Shqipëria Europa”, gara e bukurisë që u organizua në qytetin e Lezhës në fillim të tetorit. Dashnor Asllani, i njohur si producenti i suksesshëm i “Moda City”, i vendosi kurorën në kokë brunes, që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Europa”, spektakli që do të mbahet në Maltë. Pyetjes nga revista “Story”, se pse u shpall pikërisht Nicol miss-i që do na përfaqësojë në Evropë, Dashnori i përgjigjet: “Sepse ishte më e bukura, dhe natyrisht që unë ndjehem shumë mirë kur na jepet mundësia të tregojmë bukurinë shqiptare në evente ndërkombëtare të këtij niveli”. Për veçantinë e bukurisë së vajzës me gjatësi 1.75m, belin 60 cm, vithet 94 cm, dhe kritereve që kanë vendet e Europës për femrat e bukura në origjinalitet, Asllani tregon: “Kriter për shpalljen e një miss-i duhet të jenë sharmi, eleganca dhe shkollimi”. Po a lejohen ndërhyrjet estetike dhe ekzagjerimet? “Nuk lejohen kurrsesi ndërhyrjet tek një miss, pasi kur shpallet e tillë konsiderohet fillimi i jetës së një vajze, ndaj ajo përveç bukurisë duhet të spikasë për thjeshtësi dhe zgjuarsi”, tregon ai. Sa për Nicol, producenti tregoi se i bën përshtypje që të gjithë e thërrasin Nora Istrefi, pasi ngjason shumë me këngëtaren e njohur nga Kosova. Përveç “Miss Shqipëria” që u fitua nga Nicol Spaho, në këtë event bukurie u shpall edhe “Miss Kosova”, Arjola Aliaj, pasi përkatësisht dy fitueset do të përfaqësojnë shtetet përkatëse në Maltë në “Miss Europa”. Shoqëruesja e parë për Shqipërinë u shpall Eleni Kaopurani, ndërsa për Kosovën Çeleste Guraja.