Ngre siparin Festivali i parë i Këngës në Kosovë

Një ëndërr që për të gjithë kosovarët tashmë është bërë realitet. Për herë të parë në historinë e muzikës dhe televizionit, ka ngritur sot siparin Festivali i Këngës në RTK.

Gjithçka ka nisur me transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë së pritjes në tapetin e kuq, ku kanë kaluar personazhe të njohur të artit, muzikës dhe televizionit dhe jo vetëm.

Hapjen e festivalit e kanë bërë dy ikonat e ekranit televiziv, Adi Krasta dhe Besim Dina. Skenografia e punuar me mjeshtëri nga Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferri, tashmë është zbuluar. Dy prezantuesit ikonë të ekraneve televizive shqiptare, Adi Krasta e Besim Dina kanë bërë hapjen e edicionit historik.

“Artistëve të Kosovës, të dikurshëm e të tashëm, të vjetër e të rinj, të cilët krijuan në ditë të vështira e të bukura, me dashuri të madhe për vendin dhe kombin, ky festival u dedikohet”, u tha në fillim të këtij festivali.

Tetëmbëdhjetë këngëtarë/bende janë përzgjedhur që të marrin pjesë në netët finale të Festivalit të parë të Këngës, të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës.

Ato janë vlerësuar për diversitetin e zhanreve të ndryshme. InorgA me këngën “Shumë herë më nervozojnë”, Albin me “Ajo”, Bana Zahiti me “Dukat”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Arjela Krasniqi me “Emri grua”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Vjosa Shehu me “Vetes”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, Ermal Demiri me “Merri”, Franc Koruni me “Shqip”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Saranda Alija me “Mendj ku je”, Teuta Statovci me “Sekreti i tij”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Klea Dina me “Trenat” dhe Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet” do të prezantohen në Festivalin e Këngës.

Këngëtarja dhe autorja e dhjetëra hiteve të muzikës shqipe, Dafina Zeqiri ka performuar në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK.

Ajo ka performuar këngën e saj të publikuar para dhjetë vjetësh, “Veç ti”. Kënga ka ardhur me një ripërpunim orkestral, e cila ka tingëlluar tejet moderne.

Përveç në RTK1, RTK2, Radio Kosova 1, Festivali i Këngës do të transmetohet edhe në uebfaqen rtklive.com, e cila është e qasshme edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Gjithashtu Festivali i Këngës do të transmetohet edhe në Radiotelevizionin Shqiptar dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut, në kanalin e dytë.