Ngacmuan vajzat në auditor, djemtë bëjnë për spital studentët që mbrojtën shoqet. Detajet e sherrit të dhunshëm tek Ekonomiku
Zbardhet sherri i dhunshëm mes disa djemve tek Qyteti Studenti, pas konfliktit të ndodhur në auditoret e Fakultetit Ekonomik, në orën e mësimit.
“Panorama” ka mëusuar nga studentë të fakultetit, se ditën e djeshme, e hënë, dy djem të paidentifikuar ende, kanë hyrë në një orë mësimi që po zhvillonte grupi F 313.
Pedagogia që po jepte leksion në ato momente, duke mos i njohur që nuk ishin studentë të grupit, i ka pranuar në mësim.
Por kur ata kanë nisur të ngacmojnë disa vajza, djemtë e klasës i kanë dalë në mbrojtje atyre dhe janë konfkiktuar me fjalë me djemtë e huaj që më pas janë nxjerrë jashtë nga klasa.
Këta të etur për të vazhduar sherrin, i kanë pritur studentët jashtë ambienteve të fakultetit dhe sherri i dhunshëm ka nisur në Sheshin Demokracia të Qytetit Studenti.
Dy djemtë që hynë në klasë pa leje dhe nuk i përkisnin auditorit, mësohet se kishin mbledhur edhe disa djem të tjerë dhe i kanë goditur në pabesi studentët e Ekonomikut që mbrojtën shoqet e klasës.
Burimi i ‘Panorama’ saktësoi se sherri ka ndodhur për motive banale, por jo brenda ambjentit te godines së fakultetit.
Mësohet se disa djem janë në spitalin Ushtarak ku po marrin mjekim për plagët që i janë shkaktuar.