Nga vjehrra e fisi, tek rrëmuja në shtëpi dhe fëmijët, ja për çfarë zihen vajzat e gratë shqiptare me partnerët e jetës

Në ‘RevistaWho.Com’ i dedikuam një hapsirë të veçantë pyetjes: “Çfarë bëhet sebep për sherr me partnerin?”

Sigurisht përgjigjet qenë të shumta, e disa surprizuese. Duke nisur nga zënkat e fillimeve të dashurisë, kur akoma ka xhelozi e grricje për çdo gjë, e deri tek marrëdhëniet më të komplikuara, e disa problematike, me bashkëshortë që siç treguan vetë gratë, nuk i mbështesin mjaftueshëm.

Një temë tjetër delikate me shumë përgjigjë të njëjta ishte edhe ajo e vështirësive ekonomike, që me ardhjen e pandemisë vetëm është thelluar. Shumë çifte e kanë atë problematikë dhe përpjekjet për ta zgjidhur deri tani nuk kanë funksionuar.

Ndërsa tek ata çifte ku ka fëmijë, kryefjala e sherrit janë ata. Kush do bëhet prindi i ashpër, e kush do bëhet prindi që përkëdhel?

Kemi dhe nga ato gra që ankohen për rrëmujën apo vonesat. Dhe mirë bëjnë se çunat janë ca dembela. Këtë nuk e themi ne, por sondazhi virtual që realizuam.

E fundit, por jo nga rëndësia (pasi zuri gjysmën e përgjigjeve), ishte vjehrra, kunata, apo familja e burrit. Ne e hoqëm vjehrrën si opsion, se gratë mezi presin rastin të qahen, por prapë vjehrra u fut që u fut. Bashke me kunatën dhe kunatin, fisin dhe fëmijët.Dhe bashkëshortët vet nuk dinë kujt t’ia prishin e kujt t’ia ndreqin./revistawho.com