Nga VIP-t tek emisioni investigativ/ Flet gazetari: Dashuria e vërtetë s’njeh gjini, nuk më intereson asgjë deri në momentin që…

Gazetari i “Stop” rrëfen jetën pa tabu jashtë kamerave dhe intervistat me politikanë e VIP-a.

I lirshëm për t’i zbuluar presonazhet e famshme nëpërmjet pyetjeve ngacmuese, Klinton Zeqiraj është gati t’i fusë në kurth edhe me kamera të fshehta, nga politikanët, biznesmenët e derit te VIP-at. Tashmë pjesë e emisionit investigativ “Stop”, ai thotë se është aty për t’i trajtuar problemet me sportivitet. Për tundimin e parasë, dashurinë që s’njeh gjini, lirinë për të thyer çdo tabu dhe realitetin e egër mes hipokrizisë dhe materializmit, ai flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Klotilda Harka: Nga “Thumb” në “Stop”, si u bëre pjesë e një programi investigativ?

Klinton Zeqiraj: Ishte vetë Saimir Kodra ai, i cili më bëri pjesë të emisionit “Stop”.

Klotilda Harka: Çfarë ndjesish të jep të jesh pjesë e një programi si “Stop”, ku qahen hallet e njerëzve që provojnë padrejtësi në këtë vend?

Klinton Zeqiraj: Unë ndihem me fat që jam pjesë e një emisioni investigativ siç është “Stop”, pasi realisht shqiptarët kanë shumë probleme dhe halle. Dhe unë jam aty që në mënyrën time t’i trajtojmë temat paksa më me sportivitet dhe humor, pasi ky është roli im.

Klotilda Harka: Me mikrofon në dorë me “Vox pop”-e. Si të duket kur i ngacmon VIPat me pyetje pikante dhe kur ngacmon njerëz të panjohur me pyetje ngacmuese?

Klinton Zeqiraj: Nuk e kam fare problem. Më duket shumë e thjeshtë, ndoshta ngaqë tashmë jam mësuar dhe personazhet publike tani i shoh më shumë si shokë sesa me idenë, prit se është x apo y dhe do druhem për t’i bërë pyetjet!. Jo, aspak, ia lëshoj troç pa ma bërë syri tërr. (Qesh) Personazhet janë mësuar, por tani janë mësuar edhe njerëzit e panjohur në rrugë dhe më ndalojnë vetë për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia ngacmuese.

Klotilda Harka: Do të provoje të realizoje kamera të fshehta dhe cilët politikanë, apo njerëz të showbizz-it do të guxoje të fusje në kurth?

Klinton Zeqiraj: Sigurisht që do të provoja, sepse guximi im nuk njeh kufij. Do t’i fusja në kurth të gjithë, kujt të më jepej mundësia, si politikanë dhe njerëz publikë. (qesh)

Klotilda Harka: Ku ndihesh më komod, si pjesë e dyshes femërore, Aulona dhe Fatma, apo dyshes mashkullore, Saimir dhe Genti?

Klinton Zeqiraj:  Unë mendoj që jam një tip që përshtatem me këdo dhe nuk e kam fare problem. Ndoshta kjo gjë ma ka lehtësuar më shumë punën dhe sigurisht që me gocat jam ndier shumë mirë. Por Saimiri dhe emisioni “Stop” ma ka dhënë plotësisht mundësinë për të qenë tepër komod dhe ndihem me fat për këtë gjë realisht, sepse më mbështesin për çfarëdolloj ideje. Jam mirënjohës.

Klotilda Harka: Përveç rolit të gazetarit ke provuar edhe të këndosh, duke realizuar video imituese të artistëve të famshëm. Me cilin këngëtar apo këngëtare mendon se ngjason shumë dhe i afrohesh në të kënduar?

Klinton Zeqiraj: Hmmm… Normalisht ato kanë qenë video imituese dhe kam interpretuar, por s’e kam menduar ndonjëherë. Ndoshta me Flor Mumajesin (qesh), ose disa më thonë si Maluma.

Klotilda Harka: Ke punuar në disa televizione të rëndësishme deri tani. Si të duket puna brenda tyre dhe ç’kompromise ke bërë për t’ia dalë?

Klinton Zeqiraj: Personalisht, nuk më është dashur të bëj kompromise, pasi çdo punë që kam bërë, e kam bërë se e kam merituar mendoj. Jam kundër kompromiseve në një marrëdhënie pune.

Klotilda Harka: Tabuja që ke plan të thyesh në ekran për të bërë vërtet bujë në publik?

Klinton Zeqiraj: Unë gjithmonë në fakt jam konsideruar si ai djali që thyen tabu, por mendoj nëse tabuja si fjalë do të kishte një tabu tjetër, do e kisha thyer dhe atë. (Qesh) Nuk më intereson për asgjë, deri në momentin që ndihem mirë me veten.

Klotilda Harka: Je me dikë dhe mendon se dashuria e vërtetë nuk njeh gjini, racë apo kategori sociale?

Klinton Zeqiraj: U bë kohë që s’po krijoj një lidhje stabël, ndoshta kjo për faktin që e kam paksa të vështirë të më besojnë femrat për shkak se jam personazh televiziv. Për mua, dashuria e vërtetë nuk njeh as gjini, as racë, as kategori sociale. Por, a po jetojmë një dashuri të vërtetë në kohët e sotme? Sigurisht që jo, na ka mbytur materializmi dhe hipokrizia.

Klotilda Harka: Të tundon paraja dhe për sa para do e shisje zemrën dhe trupin?

Klinton Zeqiraj: Unë nuk jam për t’u shitur (qesh)! Paraja më tundon si çdo njeri, madje dhe mbreti do të tundohej nga paraja. Nuk do e shisja, sepse s’e kam në karakter një gjë të tillë. Sepse zemra nuk ka çmim. /Panorama Plus