Nga vetëvrasjet familjare te prangat, ja kush është Korrea

Angel Korrea është virtualisht një fu tbollist i Milanit, teksa sulmuesi argjentinas pritet javën e ardhshme në Itali për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën me kuqezinjtë, ndërsa po punohet për detajet e fundit me Atletikon e Madridit. “Djalli” afron në skuadër një lojtar me një karakter të fortë, duke parë edhe të gjitha peripecitë që i ka ofruar jeta, por ai ka vazhduar që të ndjekë gjithmonë rrugën e drejtë dhe bindjen e tij për t’u bërë një futbollist me emër.

ROZARIO

“Angelito” (Engjëllori), siç u pagëzua nga shokët e tij në moshë të vogël, lindi në Rozario, në të njëjtin vend si kampionët të tipit Mesi, Di Maria, Banega etj. Angeli i vogël rritet në një familje me 9 vëllezër e motra, në lagjen famëkeqe të “Las Flores”, ndërsa miqtë “humbën” mes drogës dhe kriminalitetit. Fëmijëria e tij ka qenë e përbërë nga tragjedi të rënda familjare, si për shembull humbja e babait në moshën 10-vjeçare. “Nga ajo ditë, isha unë që e mbaja familjen, falë 100 eurove në muaj që më jepte si pagë menaxheri im”.

Correa-2

DRAMAT VAZHDOJNË

Ndërsa Angeli fiton famë në radhët e të rinjve të San Lorencos, ku mbërriti në vitin 2007, fati e godet sërish, pasi edhe vëllai i madh humb jetën në rrethana tragjike. Por nuk mbaron këtu, sepse në 2017-ën, mëson për vetëvrasjen e vëllait tjetër, Luis, i cili e mori këtë vendim pasi homoseksualiteti i tij nuk u pranua kurrë në familje. “Mendoj gjithmonë për ta, më mungojnë shumë. I vetmi moment në të cilin i bllokoj këto mendime, janë kur luaj futboll”, tregonte Angel Korrea, në një intervistë të fundit.

PRANGAT

Peripecitë familjare vazhdojnë me arrestimin në fillim të vitit 2014 të motrës së tij, Xhulieta, e akuzuar se bënte pjesë në një bandë kriminale, që kishte lidhje me narkotrafikun (Los Manos). Edhe Angeli u thirr që të dëshmonte, përpara se të transferohej tek Atletiko, pasi kishin dyshime se edhe ai ishte pjesë e anëve të errëta të kriminalitetit lokal, duke parë edhe famën e tij në rritje në futboll. “Kur isha i vogël më thoshin se do të përfundoja një i droguar ose një kriminel. Por unë e kam pasur gjithmonë të qartë objektivin tim, për t’u bërë një futbollist profesionist”.

Correa-1

SËMUNDJA

Sërish në vitin 2014, jeta e vë në një tjetër sfidë të frikshme, pasi diagnostikohet me një tumor beninj në zemër. Operacioni delikat në Nju Jork u financua nga Atletiko e Madridit, klub që disa muaj më parë kishte vendosur që të investonte 8 milionë euro për blerjen e talentit argjentinas. “Nuk kam pasur kurrë frikë se do të vdisja, – tregon Korrea. – E vetmja gjë që mendoja ishte ajo që të kthehesha sa më shpejt në fushë. Nëse kërkon që të ecësh përpara, nuk mund ta lejosh frikën të të pushtojë”.

PAPA FRANÇESKU

Në vitin 2013 ishte takimi me priftin e Rozarios, Horge Mario Bergoljo, që i dha forcë, atë që pas pak kohësh do të bëhej Papa Françesko: “Ai takim më shënoi jetën dhe më dha forcën që të përballoja vështirësitë e jetës sime”. Dhe ia doli, aq sa Angel Korrea tashmë jo vetëm arriti që të korrë sukseset në Spanjë dhe në Europë me Atletikon (Ligë Europe dhe Superkupë UEFA), por tani pritet t’i bashkohet edhe një klubi me një histori madhështore si Milani.