Nga unaza 300 mijë euroshe te makina luksoze, dhuratat e Francesco Totti për Noemi Bocchi janë thjesht ‘çmenduri’

Një makinë, një unazë dhe ndoshta një qen. Pak ditë para Krishtlindjeve, mediat italiane kanë zbuluar dhuratat që Francesco Totti i ka bërë të dashurës së tij të re Noemi Bocchi në muajt e parë të lidhjes. Duhet theksuar se bëhet fjalë vetëm për hipoteza, gjithsesi është e sigurt që marrëdhënia mes të dyve po lulëzon siç e dëshmon edhe vila në të cilën përflitet se do të shkojnë të jetojnë bashkë.

Pika e kthesës së historisë së dashurisë është intervista që Totti dha për ‘Corriere della Sera’ në mes të shtatorit, në të cilën foli hapur për herë të parë për Noemin. Pak ditë më vonë ajo u fotografua nga revista ‘Chi’ në timonin e një makine të re, modeli më i fundit i Volkswagen, kompani në të cilën Totti është ambasador.

Po e njëjta gazetë muajin e kaluar vuri re gjithashtu një diamant vezullues në gishtin e saj në ‘Globe Soccer Awards’ të mbajtur në Dubai, dalja e parë e çiftit në publik. Në tapetin e kuq, ka rënë në sy unaza me një diamant në formë zemre. Vlera e saj? Rreth 300 mijë euro.

Sakaq, hipoteza e fundit mbi dhuratat luksoze që ish-futbollisti po i bën partneres vjen nga e përjavshmja ‘Nuovo’. Paparaci ka fotografuar Noemi në dalje të një klinike veterinare së bashku me një qen të vogël, një bulldog francez që do të quhej Simba. Edhe këtu ngrihet një pikëpyetje pasi është e njëjta racë me qenin që Noemi, pak kohë më parë, i dha Cristian Tottit, djalit të madh të Francescos.

Tani për tani, e vetmja gjë që dihet me siguri është se çifti i ri do t’i kalojë Krishtlindjet së bashku, me siguri në shtëpinë e re në zonën e Romës së Veriut.