Nga rrjeti i drogës, te tentativa për vrasje, kush janë autorët e plagosjes në Tiranë

Në pranga për plagosjen e Aleksandër Nikolli 27 vjeç dhe Xhulio Vellës 25 vjeç pasditen e djeshme në kryeqytet ka rënë Fatjon Palushi, Daniel Manushi, dhe njëri prej të plagosurve Nikolli, ndërkohë që është shpallur në kërkim Islam Xhetani.

Ky i fundit rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. I riu ka qenë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli pasi Gjykata e Matit, e ka dënuar me 10 vjet burg për veprën penale “Vrasje me dashje mbetur në tentative kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në 2016 është bërë ekstradimi i tij nga Sofia/Bullgari, ku u bë i mundur arrestimi i tij.

Jo më pak i njohur rezulton Fatjon Palushi. Ai është arrestuar në operacionin e qershorit të Komisariatit nr. 2 për prodhim dhe shitje të narkotikëve, ku u prangosën në total 12 të rinj të zonës së ish-Parkut të Autobusëve. Palushi ishte pjesë e grupit që merrej me shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e ish-Parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”. Në këtë rast Palushi u la në ‘arrest shtëpie’.

Gazetarja e “ABC”, Xhensila Kodra raporton se i arrestuari tjetër si autori i dyshuar i plagosjes është 27-vjeçari Daniel Manushi i cili njihet si tip problematik. Manushi është me precedent penalë, pasi 4 vite më parë më 28 nëntor 2017 qëlloi me armë zjarri duke plagosur plagosi agjentin e krimeve Ermal Bregu, të komisariatit nr. 1, i cili në momentin që u godit ishte jashtë shërbimit. Agjenti Bregu asokohe dëshmoi se ngjarja kishte ndodhur për shkak të një konflikti banal mes tyre. 27-vjeçari rezulton me nënshtetësi gjermane pasi ka lindur në këtë shtet dhe herë pas here udhëtonte drejt këtij vendi.

Islam Xhetani, në kërkim

Të gjithë të dyshuarit për plagosjen në Tiranë janë me precedentë të mëparshëm penalë. Shkak i ngjarjes së djeshme dyshohet se ka qenë një sherr i momentit, por nuk përjashtohet as mundësia për çështje droge. be.k/Abcnews.al