Nga risitë e LG Display tek stilimet unike të Maison Nica, Elton Ilirjani shkëlqen në Javën e Modës në Soeul

Supermodeli Elton Ilirjani ka shkëlqyer si gjithmonë edhe këtë herë në Javën e Modës në Soeul, e cila u zhvillua përgjatë datave 3 dhe 6 shtator. Ky është një ndër eventet më të rëndësishme të industrisë së modës në Korenë e Jugut. Madje kjo është hera e dytë që filantorpisti shqiptar i rikthehet pasarelës koreane.

Ilirjani ishte modeli kryesor që hapi këtë shfaqje, e cila ishte e mbushur jo vetëm me shumëllojshmëri “look”-u dhe ngjyrash nga Greedilious, por mbi të gjitha ishte aty për të lënë shenjë në një moment historik për kompaninë më të madhe dhe inovative të teknologjisë në botë, LG Display.

LG Display prezantoi në “Soeul Fashion Week 2024” për herë të parë ekranet “Stretchable” 12 inç në veshje, që mund të palosen, përdridhen dhe të zgjaten deri në 14 inç.

Më pas teknologjia inovative e LG Display ka bërë të mundur që ekrani të shkojë sërish në përmasat fillestare pa shkaktuar asnjë problematikë në funksionalitet.

Supermodeli e solli këtë risi përmes veshjeve bombastike dhe pamjes së tij brilante me paruke, duke iu përshtatur më së miri edhe tematikës së eventit.

Në shfaqjen e dytë supermodeli shqiptar vendosi në pasarelë veshjet e markës së njohur botërore “Maison Nica”. Në dukje më “sexy”, këtyre koleksioneve nuk u mungon gjithashtu dhe rehatia e komoditeti që ofrojnë, kjo falë tejkalimit të normave tradicionale gjinore.

Me një lirshmëri të lindur për në pasarelë , Eltoni i dhuroi spektatorëve të pranishëm edhe një kërcim të lehtë, të cilët u duk se e shijuan shumë.

Javët e modës ku do të shohim Elton Ilirjanin apo eventet e modës në vazhdim janë:

17-23 shtator 2024- Milano Fashion Week. 23 shtator- 2 tetor 2024- Paris Fashion Week. 3-15 tetor 2024- disa aktivitete në Tiranë si dhe pjesë e “Miss Globe”. 4-9 dhjetor 2024- Miami Art Basel.

living.al