Nga puthja e parë te Shqipëria, rrëfimi special i Rejës: Roshi më heq trurin, ja çfarë më tha Tare

Fjalët shqip, Himni, lojtari që e “tërbon” dhe gjithçka tjetër. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në një rrëfim ndryshe, tregon për “Jo Vetëm Modë” të moderatores Orinda Huta në “TV Klan”, gjithçka referuar kuqezinjve, objektivave me to, Shqipërisë dhe jetës së tij familjare.

Reja tregon nisjen e karrierës si futbollist, përshtypjen e parë për Shqipërinë dhe pse jo synimin për të marrë nënshtetësinë shqiptare, njësoj si Xhani De Biazi.

Kthehemi shumë kohë më parë, në fëmijërinë tuaj. Me flisni për fëmijërinë tuaj…

Kur isha 6-7 vjeç, për Krishtlindje shkruhej letra e dëshirave për Babagjyshin. Ime ëmë më blinte bluza, këpucë dhe gjëra të cilat s’më interesonin. Unë shkruaja gjithmonë: Nuk dua asgjë, dua vetëm një top futbolli. Nuk ma bleu kurrë! Prindërit e mi merreshin me agrikulturë, pasi prodhonin verë. Dhe nga unë, si fëmijë i vetëm, prisnin që kur të rritesha do ta merrja në dorë kultivimin.

Kur isha 16 vjeç, provova për herë të parë me Juventusin, më pas me ekipin SPAL, i cili më përzgjodhi menjëherë. Unë munda të falsifikoj firmën e tim ati, por kur erdhi thirrja për grumbullim ekipi, më tha: Nuk do shkosh, do rrish në shtëpi! Dhe unë ia ktheva: E bëjmë kështu.

Më lejo ta provoj një vit. Nëse nuk më ecën, do të kthehem në shtëpi. Unë ndërkohë luaja me skuadrën e dytë, me të cilën fituam kampionatin italian. Vitin e ardhshëm, më vjen thirrja për t’u bërë pjese e ekipit të parë SPAL. Ishim unë dhe Kapelo, i cili është miku im prej një jete tashmë. Kur ia them këtë tim ati, ai sigurisht u zhgënjye tej mase, por unë isha shumë i lumtur.

Hapi i madh në karrierë si futbollist?

Sapo kisha mbushur 18- vjeç. Mbeteshin edhe vetëm dy ndeshje vendimtare nëse do të ngjiteshim në seri më lart, ose do të zbrisnim. Humbëm 1 me 0. Ç’është me e keqja: unë bëra autogol. Të nesërmen, kryetitujt nëpër gazeta lexonin: Reja, fajtor për rënien e SPAL. Por, presidenti më dha zemër. Më tha: Bëre një lojë të mirë. Vitin e ardhshëm, u bëra titullar bashkë me Kapelo-n.

Edi-Reja-2

Cili ka qenë njeriu që e shënjoi më së shumti fëmijërinë tuaj?

Mamaja ime. Ajo kujdesej për mua në çdo aspekt. Kurse im atë ishte disi me i prirur drejt biznesit.

Cili është mësimi më i vyer që babai juaj ju ka dhënë për jetën?

Më ka mësuar të kem karakter dhe të sakrifikoj. Unë ndiqja shkollën dhe gjatë tre muajve të verës, punoja. Kam punuar elektricist, bojaxhi, në shtëpinë time nuk hyn kurrë asnjë punëtor, sepse i rregulloj vetë të gjitha.

Nëse nuk do te kishit zgjedhur të vijonit karrierën si futbollist e më pas trajner, cili është pasioni të cilit mendoni se do i ishit dedikuar?

Do të kisha zgjeruar kultivarët për të prodhuar verë. Më pëlqen vera, e shijoj dhe kam filluar të jem njohës përherë e më i mirë i verërave.

Edi-Reja-3

Cila është periudha me e vështirë që keni përjetuar gjatë karrierës si futbollist?

Isha 24-25 vjeç, duhet të shkoja te Milani. Nuk kam qenë lojtar me dhunti speciale në aspektin teknik, por kisha një fizik shumë të fortë. Mirëpo, më ndodhen dy dëmtime dhe ndryshe nga tani, të dëmtoje meniskun asokohe, quheshe praktikisht i mbaruar si lojtar. Por unë munda ta marr veten dhe të vazhdoj lojën, prej fizikut të fortë. Dëmtimet ma kushtëzuan shumë karrierën.

Përse vendosët ta linit lojën?

Kur nisa, isha 18 vjeç. Kur arrita të 30-at, njerëzit me thoshin se isha i moshuar për këtë lojë. Tani, në këtë moshë lojtarët piqen, kurse asokohe, 30 do të thoshte fundi i karrierës.

Cila ka qenë periudha më e bukur për ju si trajner?

Ka qenë ajo me Napolin. Edhe tani, kur kthehem në Napoli, më presin në aeroport, me përqafojnë. Kjo sepse gjatë kohës kur isha trajner, ekipit iu kthye dinjiteti. Për ta, të qëndronin në Serinë C ishte një zhgënjim. Të ktheheshin në Serine A, ishte si të fitonin kampionatin. Kur isha 58 vjeç, pas një përvoje me Xhenoa-n, vendosa ta ndërpres karrierën si trajner. Por, më telefonon Açelino, sot president i Breshia-s, asokohe drejtonte Kaljari-n. I thashë: Jo, e kam lënë! Por, kur shikoj skuadrën, pjesë e së cilës ishte Zola, i madhi Gianfranko Zola, thashë: Kjo skuadër premton shumë. Fituam një kampionat!

Edi-Reja-4

Përveç ekipeve të cilat i keni trajnuar, për cilin bëni tifo?

Për Udineze-n. Kur isha i vogël, 2 ose 3, i kërkoja gjithmonë babait të shkonim në stadium ta shikonim. Dhe ndonjëherë, më çonte.

Përse zgjodhët Shqipërinë dhe kush ju ftoi ta trajnonit atë?

Me Igli Taren kam punuar 4 vite te Lacio. Kemi një marrëdhënie miqësie të veçantë. Më telefonon dhe më thotë: Shqipëria nuk e ka ndërruar ende trajnerin. Megjithatë, ka një situatë pakënaqësie sa i takon rezultateve, mendon se do ishe i gatshëm të shkoje? Unë i thashë jo, sepse e kisha mbyllur. Igli më foli fjalë shumë të mira dhe më shtyu ta rimendoj. Më pas më telefonoi Duka dhe ramë dakord. Nuk kam punuar kurrë për para, kam dashur gjithmonë projektin që më është ofruar.

Po përpara, kishit qenë në Shqipëri?

Po, me Napolin, mos gaboj në 2005-ën apo 2006-ën. Ndaluam në Tiranë dhe të nesërmen shkuam në Shkodër ku do të zhvillohej ndeshja. Por Tirana s’kishte lidhje me kryeqytetin e sotëm. Është shndërruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Jam shumë i impresionuar.

Po ndonjë fjalë shqip, e ke mësuar?

Jo, jo!

Akoma?!

E di cili është problemi?

Këtu të gjithë flasin italisht!

A do merrje nënshtetësi shqiptare si…

…si De Biazi? Sikur! Do ishte bukur, sepse ai bëri histori. Ai qëndroi 5 vite, unë nuk e di nëse do t’ia dal. Do të më pëlqente shumë, por qëndrimi jonë varet direkt nga rezultati.

Momenti i rrëzimit… Nga 1-shi te dhjeta, sa i sikletshëm ishte? Dhe si e komentuan miqtë tuaj?

(Qesh…) Mos e pyet, më mirë. Më thanë që “ti po shkon të bësh trajnerin dhe nuk qëndron dot në këmbë për vete dhe qeshnin…”. Të gjithë u tallën me mua. Problemi qe se mbulesa ishte më e gjatë se ç’duhej. Siç ngrihem nga karrigia, bishti i mbulesës bëri që të më shkiste këmba. Thashë: Dikush më ka vendosur kurth.

Një moment i cili dha shumë për të diskutuar, ishte ai i Himnit përpara ndeshjes në Francë. A biseduat për këtë me De Champin?

Po. Është e qartë se Franca bëri një përshtypje shumë të keqe me atë që ndodhi. Me vjen keq për federatën, e cila na kërkoi falje dhe besoj se përgjegjësi i gjithë kësaj u pushua menjëherë nga puna. Megjithatë, ata që merren me këtë punë, nuk mundet kurrsesi t’i bëjnë gjerat sa për sy e faqe. Ndeshja e radhës në shtëpi për Francën ishte me Andorrën, kështu që kam përshtypjen se e kishin bërë gati për atë ndeshje, duke harruar atë me Shqipërinë. Kjo situatë është tashmë e mbyllur, megjithatë më vjen keq për përshtypjen e keqe që la Franca në këtë rast.

Edi-Reja-1

Si e gjete ekipin kombëtar kur erdhët?

Kur e pashë në Shkodër, mendova: Jo, nuk do bëhem trajner i kësaj skuadre!

Le të flasim pak për jetën tuaj jashtë fushe. Emri Livia, çfarë ju thotë?

Ime shoqe është gruaja e jetës sime. Një mbështetje e madhe në momente të vështira. E dua si ditën e parë. Gjithmonë!

Kur jeni njohur?

Kur isha 17 vjeç dhe luaja me Ferrara-n. Më pas shkova të luaja me Palermon dhe kuptova se nuk rrija dot pa të. Pas një viti u martuam, kur isha 23 vjeç. Mendo pak: Në qershor festuam 50-vjetorin.

Pra, ishte dashuri me shikim të parë apo…?

E di… Ajo ishte shumë e bukur. Kur ishte e re, se tani jo më (qesh…), por edhe shumë e fortë në aspektin e karakterit. Ka qenë shpesh vendimtare në zgjedhjet e mia.

E mbani mend puthjen e parë me Livian?

Ka qenë e vështirë. Tani është shumë e thjeshtë, kurse atëherë…. Sa e vështirë që ka qenë. M’u desh të prisja me muaj të tërë, 5-6 muaj, derisa e putha.