Nga ngritjet e trupave në ajër tek vjehrrat e liga/ Rrëfimi i një kleriku dhe jeta e ngarkuar e një ekzorcisti
Nga Jaime Lorite
Nëse dëshironi të bëheni një ekzorcist, atëherë duhet të jeni i përgatitur që t’iu pështyjnë vazhdimisht. Ky është një nga detajet më të paharrueshme që ndahet me të tjerët nga AtëGabriele Amorth në një nga librat e shumtë që shkroi. Në librin e vitit 2016 “AtëAmorth: Beteja ime kundër Satanit”, bazuar tek një intervistë e gjatë dhënë për gazetarin italian Marco Tosatti, kleriku rrëfen gjithçka që mësoi pas 70.000 viktimave të zotërimit nga qeniet demoniake, që ai pretendonte se kishte çliruar deri në atë moment.
I njohur zyrtarisht si një ekzorcist nga Vatikani në vitin 1986, Amorth ishte figura më e njohur në këtë fushë, për shkak të karizmës së tij të madhe por edhe polemikave të tij publike (ndër të tjera, ai e paralajmëroi botën se komunizmi, joga dhe saga e Harry Potter i hapën dyert shpirtrave të ligj).
Përvojat dhe shkrimet e tij shërbyen si bazë edhe për filmin “Ekzorcisti i Papës”, që ka dalë në kinema më datën 5 prill, me aktorin e famshëm Russell Crowe në rolin e priftit italian. Përfshirja e figurës së tij në zhanrin e filmave horror ishte vetëm çështje kohe.
Pak para vdekjes së tij në moshën 91-vjeçare, ai ishte protagonist në dokumentarin “Djalli dhe atë Amorth” në vitin 2017, me regji të William Friedkin, regjisori i filmit të famshëm “The Exorcist” të vitit 1973. Në dokumentarin që doli në kinema pas vdekjes, Vatikani e lejoi Friedkin të dëshmonte dhe regjistronte një ekzorcizëm të vërtetë të kryer nga Amorth.
Edhe pse materiali nuk ishte aq dramatik sa ai i klasikut horror, dhe nuk përmbante ndonjë gjë paranormale përtej një gruaje që bërtet me një zë të çuditshëm. Ndërkohë, traileri i “The Pope’s Exorcist” e bën të qartë se filmi i ri do të ketë shumë të pështyra nga i zotëruari nga fryma satanike, por edhe objekte që fluturojnë, të vjella, kafshë të ngordhura, trupa qëngrihen pezull në ajër dhe fraza të thëna në gjuhë okulte ose të vdekura.
Të gjithë elementë që lidhen me këto rituale (pjesërisht falë shkrimeve të Amorth), së bashku me një nga thëniet më të famshme të priftit, që duket se është shkruar për t’u shqiptuar nga Croëe në film:“Unë nuk kam frikë nga djalli. Është Djalli, ai ka frikë nga unë!”.
“Russell Crowe nuk më bind në këtë rol. Me duket sikur po shoh një gladiator brenda një kasolleje!”- më thotë me sarkazëm përmes telefonit ekzorcisti argjentinas Manuel Acuña, themeluesi i Shkollës së Ekzorcistëve të Evropës, me qendër në Spanjë. Acuña ishte mik meGabriele Amorth. Ai mburret se shfaqet në të vetmen selfi që bëri prifti italian sa ishte gjallë.
“Ai ishte një mësues për mua, një njeri magjepsës dhe më i madhi në ritin e ekzorcizmit. Ne duhet ta shohim filmin për të zbuluar se çfarë ka në të. Por nuk mendoj se dikush që e njihte Atë Amorth, do ta shohë atë siç shfaqet në trailer, apo se figura e tij do të trajtohet me besnikëri. Ai e refuzoi dukjen, ishte shumë modest”- shton Acuña.
Demonologu që ka dhënë leksione në “Regina Apostolorum Pontifical Athenaeum” në Romë, nuk është veçanërisht i apasionuar pas nën–zhanrit të filmit, duke e konsideruar atë “folklorik dhe jo shumë rigoroz ndaj të vërtetës”. Përveç filmit “The Exorcist” të vitit 1973, të cilin ai e konsideron një paraqitje të saktë të asaj që do të thotë të përballesh me “principatat e fuqishme të ferrit”, atij i pëlqejnë vetëm dy filma të tjerë: ”Ezorcizmi i Emili Rouz (2005) dhe “Riti” (2011) – pavarësisht elementëve kinematografikë dhe efekteve speciale.
Megjithatë, gjatë më shumë se 1200 ekzorcizmave që ai pretendon se ka kryer në karrierën e tij 18-vjeçare (i pari ishte në moshën 42-vjeçare; tani është 60 vjeç), thotë se ”i ka parë të gjitha”. “Përveç një koke që kthehet 360 gradë. Kjo është e pamundur! Por besojeni apo jo, unë kam parë një djalë 6-vjeçar të ngrihet 10 centimetra në ajër dhe të qëndrojë ashtu për 5 minuta, duke shkelur të gjitha ligjet e natyrës.
Gjatë ekzorcizmit tim të parë, pashë një adoleshent që peshonte vetëm 42 kg, por që i shtynte tej disa burra trupmëdhenj sikur të ishin prej letre. Ky akt njihet si samsonizëm. Ai ishte i pushtuar nga tre shpirtra të këqij. Kur mbarova, dola jashtë për t’u freskuar dhe hipa në makinën time. Ndonëse çelësin e kisha ende në dorë, dyert u mbyllën, dritat u ndezën dhe nisi të binte boria e makinës. Atë ditë e kuptova se sapo kisha shkëmbyer kartëvizitat me djallin”, rrëfen ekzorcisti argjentinas.
“Ekzorcizmi i Emili Rouz”, një nga filmat e përmendur nga Acuña, është frymëzuar nga historia e vërtetë e Anneliese Michel, një grua e re gjermane me një histori të gjatë të problemeve mendore. Pas vdekjes së saj në moshën 23-vjeçare, në vitin 1976, prindërit e saj dhe dy priftërinjtë që kishin kryer mbi të 67 ekzorcizma u dënuan për vrasje nga pakujdesia, për shkak të kequshqyerjes dhe dehidratimit (ajo peshonte vetëm 30 kg), dy gjunjëve të thyer dhe pneumonisë.
Michel pretendoi se ishte nën zotërimin e demonëve të ndryshëm, përfshirë Adolf Hitlerin. Në vitin 2014, Kryepeshkopata e Burgosit në Spanjë, e pranoi se kishte autorizuar ekzorcizëm mbi një të mitur me histori ankthi, anoreksie dhe përpjekjesh për vetëvrasje, e cila do të përfundonte me vetëvrasjen e saj në vitin 2019, kur ishte 22 vjeçe.
Historia e saj u bë edhe një film që doli vitin e kaluar. Atë Acuña mohon akuzat se rituali përfshin “çfarëdolloj dhune fizike apo torture”. Ai i referohet sërish filmit “The Exorcist”: “Më thoni në ç’moment Atë Karras dhe Atë Merrin kryejnë ndonjë veprim të dhunshëm ndaj vajzës? Këto gjëra i thonë për të na bërë të dukemi keq.
Veglat e vetme që përdorim ne janë elementet sakramentalë: Uji i Shenjtë, vaji i vajosjes dhe sigurisht lutja e përbashkët e grupit që shoqëron ekzorcistin. Asnjëherë nuk përdorim ndonjë gjë për të sulmuar personin. Në punën time unë shoqërohem nga mjekë, psikologë dhe psikiatër. Edhe pse besoj se profesionistët e shëndetit mendor nuk janë të trajnuar për të identifikuar fenomenet e posedimit, të cilat janë samsonizmi, ngritja në ajër, ksenoglosia (të folurit në gjuhë të çuditshme), njohja e okultizmit, mprehtësia dhe hierofobia (frika nga gjërat e shenjta)”-thotë ai.
Në librin e tij, Atë Gabriele Amorth e pranon se ka lidhur me litar viktima të supozuara të posedimit. Ata janë kaq të fortë, argumentoi ai, saqë nuk mbahen ndryshe shtrirë në shtrat. Amorth ishte kundër rishikimit në vitin 1999 të ritualeve të ekzorcizmit gjatë papatit të Gjon Palit II, që synonte të kufizonte rastet kur zbatohej ekzorcizmi.
Edhe Acuña ankohet se racionalizmi ka fituar shumë hapësirë në Kishë. “Ka peshkopë që sugjerojnë vizitat tek psikiatri apo psikologu sepse nuk besojnë tek Djalli. Por Djalli nuk është imagjinar, as ndonjë koncept apo ide abstrakte. Ai është një personalitet dhe ka një strategji, pjesë e së cilës është zotërimi”,- thotë ai.
“Në këtë kuptim kontributi i Papës aktual ka qenë shumë pozitiv. Ai ka folur më shumë në media për ekzistencën e Djallit”– thotë Acuña. Në vitin 2014, Papa Françesku e njohu Shoqatën Ndërkombëtare të Ekzorcistëve, të themeluar nga Amorth 2 dekada më parë.
Ai e ka rekomanduar publikisht këtë praktikë dhe në vitin 2013, u zbulua një video në të cilën ekspertët identifikuan Papën duke kryer një ekzorcizëm mbi një burrë gjatë një lutjeje, edhe pse vetë Vatikani e mohoi atë. Miratimi i tij duket se është në harmoni me kohën.
Një artikull i botuar në franceze “Le Monde” në vitin 2014 raportoi se kërkesa për ekzorcizëm ishte rritur shumë. Shoqata Italiane e Psikologëve dhe Psikiatërve Katolikë ka deklaruar se 500.000 mijë italianë kërkojnë çdo vit një ndërhyrje të këtij lloji.
Në SHBA kërkesa është 10-fishuar, ashtu siç janë shtuar anëtarët e Shoqatës së Ekzorcistëve, nga 25 në 250 (ata thonë se janë afro 800 në mbarë botën, shumica e tyre në Itali). Gjatë bllokimit të pandemisë Covid-19, Kisha Katolike regjistroi rritje tjetër të ndjeshme të zotërimeve të supozuara nga Djalli.
Në kujtimet e tij, Atë Amorth shpjegon mënyrat e shumta se si një person mund të përfundojë nën kontrollin ose të Djallit ose të një personi të vdekur. Në disa lokale nate, thotë ai, ka një axhendë të caktuar: atje shkon një djalë apo një vajzë dhe e fillojnë me duhanin. Më pas kalojnë te droga, më pas tek seksi dhe në fund tek një sekt satanik.
Në një kapitull, ai tregon historinë e një “vjehrre okultiste”, e cila bëri një mallkim ndaj martesës së vajzës së saj që sipas dhëndrit, rezultoi në një fat të keq dhe në shkatërrimin e shtratit të çiftit (vjehrrat keqdashëse që përdorin magjinë kundër dhëndurëve të tyre janë një dukuri e shpeshtë, thekson Amorth në libër).
Në vitin 2016, regjisorja italiane Federica di Giacomo ofroi një këndvështrim çmitizues ndaj ekzorcizmave përmes dokumentarit “Liberami” (Çliromë), që rrëfen historinë e priftit provincial, At Cataldo, në luftën e tij kundër djallit. Cataldo portretizohet si një lloj burokrati që është mësuar të merret ditë pas dite me njerëz që vijnë në famullinë e tij, duke reaguar nëmënyrë histerike ndaj lutjeve të tij.
Një nga pjesët më befasuese është skena ku prifti kryen një ekzorcizëm përmes telefonit, ndërsa një zë dëgjohet duke bërtitur diçka të paqartë në anën tjetër të receptorit. “Procedurën mund ta bëni edhe me telefon. Atë Amort kreu disa të tilla”, pohon Acuña, që përmend si precedentë mrekullitë e shërimit të vajzës së gruas sirofenikase dhe shërimit të shërbëtorit të centurionit romak, ku që të dyja sipas Biblës u kryen nga Jezu Krishti nga distanca. /“El Pais” – Bota.al/