Nga mungesa e dokumentacionit deri tek Covid-19, rrëfehet Florian Kamberi: Jam gati të debutoj me kombëtaren
Mbrëmjen e sotme, Shqipëria do të luajë kundër Andorrës dhe pritjes 16 mujore për debutimin e sulmuesit, Florian Kamberi, si duket do ti vijë fundi.
Në një rrëfim për gazetën angleze “dailyrecord.co.uk”, sulmuesi 26 vjeçar rrëfeu dëshirën e tij për të debutuar me kombëtaren shqiptare dhe tregoi të gjitha peripecitë që e kanë penguar për të debutuar që nga momenti që mori ftesën në vitin 2019.
Vështirësitë e debutimit: “Hera e parë që u thirra për të luajtur për kombëtaren shqiptare ishte në nëntor 2019. Unë kisha një dëmtim dhe nuk isha në gjendje të luaja. Gjithashtu dokumentacioni im nuk ishte i gatshëm në atë kohë. Vitin e kaluar kishte një çështje tjetër në lidhje me fluturimet dhe pastaj ishte periudha e pandemisë. Kur mora një tjetër thirrje nuk mund të shkoja sepse po kaloja vetë Covid-19 kur isha në Zvicër. Ka qenë e çmendur ajo që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Gjërat kanë ndodhur, por shumë prej tyre nuk kanë qenë në dorën time. Ishte zhgënjyese dhe e vështirë sepse unë dua të luaj për Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam në formë, jam me skuadrën e Shqipërisë dhe jam gati të luaj. Tani unë jam përqendruar në tre ndeshjet e ardhshme. Është gjë e mirë që do të luajmë kundër disa ekipe të mëdhaja si Anglia, por para kësaj, shpresoj se mund të bëj debutimin tim kundër Andorrës”.
Prapaskena me ndihmësin e Rejas: “Unë jam gjithmonë në kontakt me trajnerin Reja dhe ndihmësin e tij Serxhio. Unë u takova me Serxhion dhe gruan e tij në Skoci. Ata erdhën për të më vizituar kur isha në Hibs. Ai erdhi të më shihte kur humbëm 5-2 ndaj Sëlltikut në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës. Unë e takova pas lojës dhe të nesërmen shkuam për drekë. Ai dhe Shqipëria kanë treguar shumë besim tek unë dhe tani unë dua t’i shpërblej ata në fushë.”
Kalimi tek Aberdini: “Kalimi te Aberdini ka qenë i shkëlqyeshëm. Unë e kam shijuar shumë. Klubi, skuadra dhe tifozët janë të shkëlqyeshëm. E vetmja gjë zhgënjyese kanë qenë rezultatet, por jam i sigurt që do të ndryshojë nga tani deri në fund të sezonit. Ne kemi një skuadër shumë të mirë. Unë e di që rezultatet do të përmirësohen dhe ne do të kemi rezultate të mira deri në fund të sezonit. Tani dua të përqendrohem tek kombëtarja për ndeshjet e ardhshme. Pas kësaj do të kthehem tek Aberdini dhe shpresoj të shënoj disa gola dhe ta ndihmoj ekipin të fitojë”.
PANORAMASPORT.AL