Nga miqtë që i mungojnë te të rinjtë që s’e njohën, Ermira Babaliu vjen në një rrëfim krejt ndryshe

Këngëtarja me zërin e veçantë të muzikës shqiptare, Ermira Babaliu ka qenë e ftuar në emisionin “Shqip me Rudina Xhungën. Prej 26 vitesh Ermira jeton në SHBA, por gjurmët që ajo ka lënë me muzikën e saj, nuk ka distancë që t’i zhbëjë. Por megjithatë gjërat kanë ndryshuar, kohët dhe brezat po ashtu. Në një moment të bisedës Babaliu tregon sesi kur shkoi të ndiqte prej nostalgjisë provat që bëheshin në Pallatin e Kongresve për festivalin e RTSH-së, veç Shpëtim Saraçit, këngëtarët e tjerë të rinj, nuk e njohën fare. Ndoshta imazhin mund t’ia kenë harruar, por këngët e saj, jemi të sigurtë se i këndojnë në mbrëmjet live kur performojnë.

Babaliu: U ndodha rastësisht këto ditë në Tiranë edhe kalova rastësisht tek Pallati i Kongreseve, dëgjova që po bëheshin prova , hyra, ndenja gjysmë ore, u çmalla. E pashë që më kishte zënë malli, po s’dihet mund të vijë prapë.

Rudina Xhunga: Po mirë nuk të panë aty, nuk u çuan në këmbë të të thonin rri?

Shumica ishin të rinj dhe s’më njohën fare. U kënaqa, sepse Shpëtim Saraçi më pa dhe ndaloi dhe më tha si nuk na the që je këtu. Ishte shumë miqësore pritja e Saraçit./ J.H/dritare.net