
Nga krimi në politikë: Ish-mafiozi shqiptar John Alite bëhet këshilltar bashkiak në SHBA
Ish-mafiozi me origjinë shqiptare John Alite, që dikur ishte një nga njerëzit më të besuar të John Gotti-t, tashmë është bërë këshilltar bashkiak në qytetin Englishtown, New Jersey.
Sipas mediave të huaja, ish-“ushtari” i familjes mafioze “Gambino”, i cili dikur u dënua për 6 vrasje dhe dhjetëra sulme të dhunshme, u betua të mërkurën si anëtar i Këshillit Bashkiak, duke marrë një kthesë të papritur në jetën e tij.
“Kam pasur një të kaluar të errët, por tani dua ta shlyej dhe ta përfundoj jetën duke bërë gjëra pozitive,” tha 62-vjeçari Alite.
I njohur si një nga “arkëtuesit” më të suksesshëm të klanit Gambino gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, Alite beson se përvoja e tij në rrugë do ta ndihmojë edhe në politikë.
“Çdo aspekt i rrugës është si qeveria, ndaj e kuptoj mirë manovrimin politik dhe intrigat,” shtoi ai.
Alite, i cili kaloi 14 vjet në burg dhe më pas u bë dëshmitar i FBI-së kundër ish-mikut të tij, John Gotti Jr., ka qenë i angazhuar në punë sociale për të ndihmuar të rinjtë të largohen nga rruga. Kjo e bëri atë të fitonte besimin e kryebashkiakut të Englishtown, Daniel Francisco, i cili e propozoi për postin e këshilltarit.
Megjithëse pati kundërshtime fillestare nga disa anëtarë të këshillit, Alite arriti t’i bindë se e kaluara e tij mund të shërbejë si një shembull për ndryshim dhe rikthim pozitiv.
“Unë nuk i shmangem të kaluarës sime. Përkundrazi, e përdor atë për të ndikuar tek të rinjtë dhe për të kthyer një histori negative në një mësim jete,” tha ai.
Alite do të mbajë këtë post deri në vitin 2027, përveç nëse dikush e sfidon në zgjedhje deri më 21 mars. Megjithatë, ai beson se ka mbështetje të mjaftueshme për të vijuar në politikë dhe nuk e përjashton mundësinë e një kandidimi më të lartë, madje edhe për Kongresin Amerikan.
“Jam pyetur për një post më të lartë politik dhe më pëlqen modeli i Trump, ai bën atë që duhet dhe është punëtor i madh,” tha Alite, i cili ka qenë mbështetës i ish-presidentit që nga viti 2016.
Pavarësisht të kaluarës së tij kriminale dhe konfliktit të vazhdueshëm me familjen Gotti, Alite tashmë është shndërruar në një folës motivues, autor i pesë librave mbi jetën e mafias dhe aktivist kundër drogës.
tpz.al