Nga kënga e preferuar shqip te deklarata e papritur për Kidën- Gjon’s Tears i tha të gjitha!
Gjon’s Tears arriti që pas pjesëmarrjes në “Eurovision”, ku shkëlqeu dhe u rendit i treti, të fitojë zemrat e një publiku të gjerë europian, e sigurisht edhe të shqiptarëve, pasi na bëri të gjithve krenarë. Si për t’i falenderuar për mbështetjen, Gjoni ishte javën e kaluar në vendin tonë ku realizoi intervista të shumta, mes të cilave edhe në “Soiree”, e cila u transmetua sonte. Gjon është pyetur nëse ka ndonjë këngë shqiptare që i pëlqen shumë dhe që do dëshironte të ishte e tij dhe ai ka treguar se dy këngët shqiptare që i pëlqejnë dhe i ka dëgjuar që i vogël janë nga Orinda Huta, “Ti e di” dhe Pirro Çako dhe Rovena Dilo, “Për një çast”. Ndër të tjera ai ka treguar se do dëshironte të bashkëpunonte me Dua Lipën.
Këngëtari i talentuar ka treguar se nëse nuk do t’i hynte rrugës së muzikës, do dëshironte të bëhej mësues frëngjishte dhe kjo aspak një zgjedhje rastësore.
“Kishte një plan B që ishte arsimi. Unë doja që të bëhesha mësues i frëngjishtes, sepse më pëlqen shumë literatura franceze, ose dhe mësues muzike në shkollë, por jo në shkollë muzike. Unë kam patur një mësues shumë të keq dhe i kam thënë atëherë vetes që unë do bëhem mësues dhe do ju tregoj njerëzve që arsimi nuk është i prishur, por ka dhe njerëz të mirë. Ai ishte një mësues i pakuptueshëm. Një gabim të vogël bëja unë matematikë, se isha skandal, ma hidhte të gjithë punën poshtë. Ai më kishte thënë që nuk do isha i arrirë në jetën time, se isha shumë keq në matematikë dhe tani mund ta shikojë që më në fund ia dola edhe pa matematikën”, ka treguar Gjon’s Tears.
Më tej, gjatë intervistës, artisti u pyet se kush do të ishte këngëtari ose këngëtarja që Shqipëria duhet të çojë në Eurovizion, Gjon’s Tears ka habitur jo pak duke përmendur Kidën.
“Aurela Gaçe e përfaqëson shumë mirë Shqipërinë. Ndërsa tek këta të rinjtë më pëlqen shumë Kida, kështu që pse jo ta përfaqësojë ajo Shqipërinë në Eurovizion”, është shprehur Gjon.