Nga flirtet te bisedat erotike brenda 4 mureve, Hermes Nikaj rrëfen 6 muajt në arrest shtëpie: Ja pse më mungojnë shokët e burgut

E quan veten “zog” të lirë, që po provon në palcë privimin e saj aq sa nga kjo vuajtje të marrë leksionin e madh të jetës për vitet në vazhdim.

Hermes Nikaj, gazetari dhe reporteri 26- vjeçar i “Vox pop”-eve për disa emisione të rëndësishme televizive, prej gjashtë muajsh ndodhet në “Arrest shtëpie” me shpresën e mbylljes së çështjes pas arrestimit në flagrancë 1 vit më parë, me akuzën për shfrytëzim prostitucioni.

Për miqësitë që krijoi në qeli me të fortët problematikë, flirtet apo bisedat erotike që bën virtulisht tani që s’ka mundësi të takojë askënd, miqtë e njohur që e mbështetën apo ata që i kthyen shpinën në këto ditë të vështira, dhe planin për t’u rikthyer në ekran, Hermesi i rrëfen në këtë intervistë ekskluzive në arrest shtëpie për “Panorama Plus”.

Si është jeta jote në arrest shtëpie? Ke guxuar në ndonjë moment të rebelohesh dhe të dalësh kundër ligjit?

Prej gjashtë muajsh unë ndodhem në arrest shtëpie, pa të drejtën për të dalë e punuar. I jam përshtatur realitetit të ri, edhe pse me pak vështirësi. Jeta ime ka ndryshuar shumë, pasi ndihem i ndrydhur e i kushtëzuar. Masa e dënimit “Arrest shtëpie” është një masë ekstreme, jo e lehtë, dhe e papërshtatshme për mua. Por pastaj e marr me sportivitet, dhe mendoj se kështu është e gjithë bota në këtë periudhë pandemie. Të thyej ligjin? Jo, mos e dhëntë Zoti, kurrë!

Ke njohur ndonjë person të ri virtulisht këto kohë dhe a shkëmbeni mesazhe dashurie?

Momentalisht jam “single” e gjithçka po shkon mirë. Në fakt, nuk është çasti i duhur për dashuri! Unë jam në kontakt çdo ditë me njerëz, sigurisht me anë të rrjeteve sociale apo vizitave në shtëpi. Shkëmbej mesazhe dhe sidomos mesazhet suportuese më motivojnë shumë! Njerëzit që më duan janë të shumtë dhe ndihem shumë mirë për këtë fakt! Fundja, këtë qëllim i kam vënë vetes: që në televizion të dhuroj pozitivitet!

Ndërkohë, kalove dhe sprovën që burrat e vërtetë e konsiderojnë të tillë me shaka apo jo: burgun. Të mungojnë shokët e burgut dhe ua mban mend emrat?

Unë e kam thënë edhe më parë në intervistën që kam dhënë për ju, se jam pritur dhe trajtuar shumë mirë. E kanë kuptuar situatën time dhe më kanë mbështetur, e madje më thonin që “ti nuk je për këtu”. I mbaj mend dhe i falenderoj për kurajon! U uroj lirim të shpejtë të gjithë atyre që kanë kaluar të njëjtën situatë si unë! Gjithashtu, shpreh edhe falënderimet e mia për stafin e paraburgimit “Jordan Misja”!

Duke marrë shkas nga akuzat për të cilat përfundove aty, kur degjon fjalën “prostitucion” çfarë të vjen në mendje, ose ç’ndjen?

Unë s’e dija si term e jo më të përfshihesha në çështje të tilla. Ndihem shumë keq vërtet, por këto janë faturat që paguajmë ne njerëzit publikë. Realisht më vjen shumë turp që emri im është lakuar në situata të tilla. Unë s’kam lidhje me asgjë që është e paligjshme. Fakti që kam qenë i ndaluar s’do të thotë se jam fajtor, pasi ende s’kemi një vendim të formës së prerë.

Si e kalon kohën tani?

Kohën në shtëpi! Me prindërit, miqtë që vijnë dhe më vizitojnë shpesh për të më kurajuar. Falë Zotit kemi rrjetet sociale ku suportin më të madh ma japin fansat e mi!

Ndodh që dëshpërohesh aq shumë sa të vjen për të qarë?

Për të qarë më vjen vetëm për ndjesinë që përjetoi familja ime dhe për pjesën që nuk mundem t’u dhuroj shqiptarëve pozitivitet nëpërmjet ekranit, sidomos në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Nëse do të shkruaje një libër për këtë moment, cili do të ishte personazhi më afër teje në jetën reale në historinë që do të rrëfeje?

Në fakt po mendoj për një libër të dytë, duke qenë se edhe libri im i parë me titull “Magji femërore” eci mirë. S’e di për personazhe, më vijnë shumë ndërmend, familja, miqtë që më kanë mbështetur publikisht… Nuk di të jap një përgjigje konkrete. Për më të tepër, ju ftoj të më ndiqni në profilin tim në “Instagram”!

Pasi të dalësh nga arresti i shtëpisë, aventura e parë që ke në plan të bësh?

Gjëja e parë do të them: “Faleminderit Zot!”. Pastaj uroj të jenë hapur lokalet, se do të dal dhe do të kërcej gjithë natën me miqtë, deri në të gdhirë. Por e rëndësishme është që të dal në pah e vërteta dhe pafajësia ime!

Çfarë vlere ka marrë koncepti i lirisë pasi ke provuar privimin e saj, ndërkohë që je në kulmin e rinisë, vetëm 26 vjeç?

Unë jam një njeri i lirë dhe jam rritur si i tillë. Edhe nofka ime “Zogu” lirinë personifikon. Sigurisht që tani e vlerësoj edhe më tepër dhe nuk dua asnjë sekond ta çoj dëm! Dua të jetoj dhe të shijoj çdo gjë në jetë!

E si “Zogu i Tiranës” tashmë në kafaz, çfarë çmendurie ke bërë në virtualitet me dikë të njohur apo të panjohur?

Unë çmenduritë i kam bërë jashtë në fakt! Gjatë kësaj kohe thjeshtë reflektova dhe hapa sytë për shumë gjëra dhe shumë njerëz që më rrethojnë. Sa për çmenduri, nuk di se çfarë të quaj të tillë. Mua s’më kanë munguar në asnjë moment as flirtet, as bisedat erotike, duke qenë se gjithnjë kam qenë në qendër të vëmendjes!

Vajzat apo djemtë e famshëm që të janë gjendur pranë në këto ditë të vështira, dhe ata që s’ta varën fare as për të të qarë hallin?

Shumë personazhe publike më kanë dalë në mbrojtje publikisht. Por edhe shumë të tjerë në fakt, të cilët më kanë mbështetur edhe në izolim, por i kanë qëndruar pranë edhe familjes sime. Sa për ata që nuk më mbështetën, nuk e meritojnë t’u jap vëmendje duke u përmendur emrat! Ata veten treguan, maskat që përdorin për të fshehur llumin, nga i cili vijnë dhe janë të përlyer. Unë jam po i njëjti “Zogu i Tiranës”, gazetari më i vërtetë dhe pozitiv i mediave shqiptare.

Mendon se pas kësaj që të ndodhi është e mundur të kthehesh sërish në televizion dhe në ç’mënyrë kësaj here?

Po, sigurisht që po, më i fortë se asnjëherë. Do të rikthehem për të treguar se njeriu nuk duhet të ndalet përpara asgjëje, për të mbyllur gojët e liga dhe, mbi të gjitha, për të argëtuar shqiptarët. Se si, ku, qysh e tek, do të mbetet për t’u parë!

/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka