Nga dueli special me Levandovskin te Atalanta, rrëfehet Berat Gjimshiti: Në qoftë se frikësohesh, je…
Berat Gjimshiti po kalon një moment fantastik te skuadra e Atalantës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është shndërruar në një lider te skuadra e Serisë A.
Gjimshiti ishte i pranishëm ditën e sotme, në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Polonisë, që Shqipëria do të zhvillojë ditën e enjte në transfertë, teksa ka folur edhe për duelin special me Levandovskin.
KOMBËTARJA DHE SEZONI I RI– Ka qenë një sezon shumë i gjatë sidomos për mua personalisht. Kemi pasur shumë ndeshje me klubin dhe Kombëtaren. Besoj kemi pasur nevojë për pak pushim, për të rikuperuar. Ishte kënaqësi që rifilluam këtë sezon të ri. Me Kombëtaren kemi bërë hapa pozitivë. Në këto ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne do të shikojmë si do të dalim dhe do të japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë.
POLONIA– Kemi bërë hapa pozitive, besoj se mund t’ia dalim. Duhet pasur respekt për Poloninë, ka një skuadër shumë të mirë me disa lojtarë që luajnë në klubet më të mirë në botë. Gjithsesi duhet të shikojmë veten dhe të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen.
DUELI ME LEVANDOVSKIN– Nuk ka shumë për të studiuar Levandovskin. Këto ndeshje besoj çdo tifoz i futbollit i shikon, Levandovski është në superformë te Bajerni. Është ndër sulmuesit më të mirë të momentit sigurisht, do të jetë një duel shumë i bukur. Do jap maksimumin tim, pastaj të shikoj si do të dalim.
CILËSIA NË MBROJTJE DHE BESIMI– Në qoftë se frikësohesh, je gabim në këtë punë. Gjithë lojtarët kanë marrë eksperiencat e duhura. Kur luan me kundërshtarë të nivelit shumë të lartë rritet personaliteti dhe vetëbesimi. Sa më shumë ndeshje luan, aq më mirë. Gjithë ekipi ka një eksperiencë shumë më të mirë se ç’kemi pasur më parë.
RËNDËSIA E NDESHJE– Çdo fitore të jep motivim më të madhe. Për tifozët, jam shumë i lumtur që do të kthehen. Na kanë munguar, e shikoja dhe në Serinë A, është më bukur të luash me tifozë dhe jam i lumtur që janë rikthyer tifozët.
PRITSHMËRITË TE ATALANTA– Çdo vit dua të përmirësohem sa më shumë. Të mësoj nga gjërat që kam bërë më pak mirë dhe ato që i kam bërë mirë t’i mbaj. Çdo vit Atalanta si klub ka synim të arrijë sa më lartë. Ajo është cilësi që të jep forcë dhe motivim.
PANORAMASPORT.AL