“Nga Dubai, deri në Ekuador dhe në fushatë”/ Artan Hoxha tregon kundërshtarët e Altin Dumanit: Çfarë e bën të frikshëm për politikën
Gazetari Artan Hoxha tregoi mbrëmë në “Opinion” se e ka njohur Altin Dumanin, drejtuesin e ri të SPAK, kur ishte prokuror në Tropojë shumë vite më parë. Ai u shpreh se bota e krimit nuk donte që Dumani të vinte në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kjo sipas gazetarit tregon se ai nuk ka pika kontakti me ta. Sa i përket politikës, Hoxha tha se Dumanin e bën të frikshëm dosjet që ka në hetim e sipër, jo ato që ka hetuar.
“Kush ma rriti mua pritshmërinë për Dumanin dhe pse unë preferoja të ishte Dumani. Sepse unë shikoja reagimet e botës së krimit. Nuk e donin Dumanin. Ata thonin ishalla nuk e vënë këtë. Nga Dubai, deri në Ekuador dhe në fushatë nuk e donin Dumanin. Faktin që nuk e donin Dumanin do të thotë që Dumani nuk ka pika kontakti me ata. Në rregull? Ai mundet ta hetojë një çështje dhe mundet të mos e finalizojë dot, por kjo çështje dështon sepse nuk arrin ta provojë, jo sepse e kanë korruptuar. Ky është avantazh shumë i madh. Njerëzit më të interesuar që ai të mos zgjidhej përpara atyre që u shfaqën publikisht, pra përpara politikës, ishin personazhet që vinin nga bota e krimit për Dumanin.
Dhe këtë unë ia njoh si meritë shumë të madhe. Pra Dumani është një tip i vështirë për këtë gjë dhe ata nuk e donin për këtë gjë. E thonin haptazi që ishalla nuk vjen ky. Dumani ka një avantazh tjetër sepse Dumani, tani vij tek pjesa e politikës, është i frikshëm jo për atë që ka hetuar, atë që tha Klodi, për mua Dumani është i frikshëm për atë që ka në hetim e sipër. Këto që ka nëpër duar dhe nuk janë bërë publike. Nëse SPAK-u nuk funksionon si skuadër, SPAK-u nuk do të ketë rezultat”, u shpreh Hoxha.