Nga dollapi zhduken 100 palë këpucë luksoze: Ilary Blasi akuzon se ‘hajduti’ është Totti
Është një divorc që po bëhet gjithnjë e më shumë një telenovelë mes ish-kapitenit të Romës, Francesco Totti, dhe gruas së tij Ilary Blasi. Është folur për çanta të zhdukura, Rolex, shantazhe dhe inate të mëdha mes bashkëshortëve. Tani janë shtuar në listë edhe këpucët. Sipas asaj që raporton Messaggero, në fakt, në inventarin që Blasi i ka dorëzuar gjykatësit, ka mangësi. Krahas bizhuterive, në listë ka patur një numër të madh këpucësh dhe sandalesh nga Jimmy Choo, Amina Muaddi, Chanel, Le Silla, Casadei. Përveç atleteve të markës Gucci. Thesare të vërteta, disa prej të cilave do të kushtonin deri në 4 mijë euro.
Fajtor për “vjedhjen” është vetë Totti, i cili pas “grabitjes së Rolex” të kryer nga showgirl-i, i kishte marrë çantat, bizhuteritë dhe këpucët, në vend që t’i kthente. “Ajo shkoi me babanë e saj për të zbrazur kutitë e kasafortës dhe më mori koleksionin e orëve. Ka disa Rolex me vlerë shumë të madhe. E çfarë të bëja? Ia fsheha çantat, duke shpresuar për një shkëmbim”, pranoi kampioni roman gjatë intervistës me Corriere della Sera.
E pikërisht për të rimarrë të gjitha gjërat e saj, prezantuesja Ilary Blasi trokiti në derën e gjykatës civile të Romës. Seanca do të fillojë më 14 tetor. E nëse lufta midis mbretit dhe ish-mbretëreshës së Romës duket e ndezur, në realitet janë vetëm lëvizjet e para. Pritja është e gjitha për fillimin e divorcit që do të shohë në qendër të mosmarrëveshjes kompensimin e madh për mbajtjen e tre fëmijëve të çiftit.
Ndërkohë, tashmë Totti duket se ka lënë apartamentin e tij luksoz në zonën Eur, për t’u transferuar në Romën e Veriut. Lëvizje kjo për të qenë pranë partneres së tij të re Noemi Bocchi. Burime pranë ish-kapitenit të verdhekuqve flasin për një zonë të famshme me pishinë dhe fusha tenisi në Piazza Stefano Jacini. Kjo do të ishte rezidenca e re e Pupones.