Nga divorci i prindërve tek ndarja e saj me bashkëshortin/ Farmacistja 34-vjeçare në depresion prej javësh, 7 muaj më parë…

ELTON NIKA/ Një divorc i disa muajve më parë u bë shkak që një grua 34-vjeçare me profesion farmaciste të hidhej nga kati i pestë i një pallati në qytetin e Vlorës bashkë me foshnjën e saj 1-vjeçare.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në lagjen “Pavarësia”, ku shtetasja Pamela Mërtiri është hedhur së bashku me djalin e saj 1-vjeçar nga katet e larta, duke përfunduar në sheshpushimin e pallatit.

Burimet bënë me dije se gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa foshnja ka ndërruar jetë pak momente më vonë pasi u transportua për në spital nga banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Viktima jetonte prej vitesh në Tiranë ku edhe ushtronte profesionin e saj si farmaciste. Familja Mërtiri kishte një banesë në qytetin e Vlorës ku 34-vjeçarja shkonte herë pas here. Gruaja ka shkuar dy ditë më parë te kjo banesë ku jetonte babai i saj, për të ndërmarrë një ditë më pas aktin tragjik.

Prej muajsh gruaja kishte shfaqur shenja depresioni, sipas dëshmive të të afërmve të saj. Vendimin ekstrem Pamela Mërtiri e ka ndërmarrë në një tjetër pallat përballë pallatit ku ndodhej banesa e babait të saj, një mjek i njohur në qytetin e Vlorës.

NGJARJA

Pamela Mërtiri kishte humbur kontaktet me familjarët e saj prej orëve të para të mëngjesit të ditës së premte dhe për këtë arsye, prindërit kishin dalë për ta kërkuar, duke pyetur edhe fqinjët nëse e dinin vendndodhjen e saj.

Policia e Vlorës tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 minuta, ndërkohë që 34-vjeçaren familjarët e saj, sipas burimeve, e kanë kërkuar prej orëve të para të mëngjesit në lagje, duke mos e ditur për aktin ekstrem që kishte ndërmarrë.

“Sot (dje) më datë 26.11.2021, rreth orës 12:30, në lagjen ‘Pavarësia 2’, shtetasja P. M., 34 vjeçe, dyshohet se është hedhur së bashku me fëmijën e saj të mitur K. N., 1 vjeç, nga sheshpushimi i katit të një pallati dhe për pasojë kanë ndërruar jetë”, sqaroi Policia e Vlorës në një komunikatë të shkurtër për ngjarjen.

Më tej thuhet se në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti tragjik, ku 34-vjeçarja i mori jetën edhe foshnjës së saj.

Një pjesë e banorëve që e pikasën të parët vetëvrasjen e gruas me foshnjën e saj thanë se ajo ishte hedhur qëllimisht në një pallat tjetër në lagje, çka do të thotë se është ngjitur qëllimisht për t’u hedhur prej andej dhe nuk ka qenë një vendim momental.

Babai i Pamelës, bëjnë me dije burimet, është një mjek i njohur në qytetin e Vlorës, i cili aktualisht ka dalë në pension.

DIVORCET BRENDA FAMILJES

Pamela Mërtiri duket se e kishte vuajtur tejet shumë divorcin me bashkëshortin e saj, ndoshta edhe për shkak të historisë familjare.

Përveç saj, në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile rezulton që babai i saj, Viron Mërtiri, të jetë i divorcuar me bashkëshorten.

Babai jetonte në qytetin e Vlorës, ndërsa nëna e Pamelës jetonte në Tiranë prej vitesh.