Nga dhuna e të atit te kërcënimi me varje në litar i Elvis Lushit, Antonela Berisha e “Për’puthen” rrëfen dramat e saj me burrat
Pas debateve në “Për’puthen prime”, vajza nga Shkodra, Antonela Berisha, u largua nga studioja e prekur dhe e përlotur.
Ndërkohë në emision ajo tregoi arsyen pse u ndje keq dhe rrëfeu gjithë historinë prekëse të jetës së saj. Antonela tregoi se ka pasur një jetë mjaft të vështirë, sepse babai i saj, që tashmë nuk jeton më, ushtronte dhunë ndaj nënës.
“M’u kujtuan ca gjëra që kam kaluar në familje. M’u kujtua babi, që nuk jeton më dhe atë rrëmujën që na bënte në shtëpi mua dhe familjes dhe mamit. Kujtoj atë pjesën që po bërtisnin të gjithë dhe s’ndalonte më situata, e humba, me dolën lot vetvetiu”, tha Antonela kur tregoi arsyen e largimit nga studioja. Ajo rrëfeu më pas se për shkak të dhunës së vazhdueshme të të atit, u detyrua me nënën dhe familjarët e tjerë të shkonin në Itali dhe të shpëtonin prej tij.
“Më kujtohet natën e fundit që na ka nxjerrë nga shtëpia dhe jemi ndarë aty. Kemi shkuar në Itali se ai kërcënonte se donte të na vriste ne dhe nënën, kemi shkuar në Itali me një veshje ne trup e me asgjë tjetër. Pas një viti s’kishim dokumente akoma dhe më thotë dikush në ‘Facebook’: ‘Ngushëllime për babin!’.
Më ka mbetur merak që s’kam qenë në varrim, por nëna ime është një person i fortë që s’na ka bërë ta ndjejmë mungesën e babit, megjithatë ai duhet. Kemi shkuar në Itali dhe u dorëzuam në Polici që të na ndihmonin dhe na thanë: ‘S’kemi çfarë t’ju bëjmë, ikni ku të doni’. Kishim dhe vëllain 4 vjeç, binte shi atë ditë, del mami me pasaporta dhe thotë s’na pranojnë. Shefi i Policisë e pa këtë skenë dhe na strehoi, për dy vite jetuam në një qendër, pastaj gjetëm punë dhe ia dolëm disi.
Mami la gjithë jetën e saj këtu se ishte mësuese matematike dhe ka punuar edhe si pastruese në Itali. E kam parë babin gati duke e mbytur mamin dhe s’munda të bëja gjë, se s’kisha çfarë t’i bëja”,– ka rrëfyer Antonela. Historia e saj përloti konkurrentët, Bora Zemanin dhe Arjan Konomin dhe të gjithë ata shprehën mbështetjen e tyre për Antonelën.
Por pas këtij rrëfimi, vajza çapkëne nga Shkodra ka qarë sërish dhe këtë herë arsyeja ka qenë një nga djemtë e “Për’puthen”, Elvisi që njihet si “Loco”. Elvisi (Loco) ka vendosur të largohet nga “Për’puthen” pasi publikoi fotografinë me litar në rrjete sociale, për të cilën tha se e kishte për Antonelën. E gjitha kjo shkaktoi debate të forta në program dhe pas kësaj, Elvisi vendosi që t’i japë fund rrugëtimit të tij në programin e dashurisë, ku dukej se marrëdhënia e tij me konkurrenten tjetër, Sindin, po shkonte në drejtimin e duhur.
“Unë do të largohem sot dhe duhet të bëhet dikush kurban për të përfituar dikush tjetër. Por ta harroni që mund të bëhem kurban!”, tha ai. Antonela iu pëgjigj se ka pasur respektin maksimal dhe është prekur se ka menduar që është i kulturuar. Dua të bëj një pyetje: “Unë të kisha bërë vetëvrasje, do të të vriste ndërgjegjja?”.
“Sigurisht që po”, tha Loco. “E kam thënë që Antonela më duket femra më e fortë këtu, nuk e di kush mund të jetë dëshmitar këtu. Po thoja që të kam vlerësuar dhe faleminderit që i the ato fjalë. por ajo që më ka bezdisur tek ti është që përpiqesh të justifikohesh për çdo situatë, herë me lot, herë me viktimizim.
Sot nuk kam ardhur as me akuza, as me shpatë në dorë, por kam ardhur për të dalë e për të ikur në punën time, se nuk mundem më. Antonelës i kërkoj falje, se e kam bërë të ndihet keq!”, tha ai. Kujtojmë që fotoja skandaloze e publikuar nga Loco dhe e ripostuar nga konkurrenti tjetër, Atdheu, nxiti debat shumë të ashpër në “Për‘puthen”.
Antonela shpërtheu në lot kur tregoi foton e postuar nga Loco në “Instagram”, në të cilën shkruhej: “Ka dy lloj monstrash në këtë botë: 1. Ngacmuesit seksualë, që bëjnë gjëra pa aprovimin e palës tjetër. 2. Femra që bëjnë çfarë të duan dhe ia hedhin fajin ‘ngacmuesit seksual’. Për këtë të dytën jam më i sigurt”.
Me të parë foton, opnionisti i njohur i programit, Arjan Konomi, kërkoi përjashtimin e Locos.
“Unë kërkoj që ti të përjashtohesh nga ky emision. Plehra si puna jote që i dërgon një vajze këtë foto, një litar që të varet, duhet të largohet. Qërrohu nga ky program, ose nuk e di se çfarë do bëj! Nuk e pranoj këtë gjë. Jeni në një emision televiziv dhe keni kurajon t’i nxirrni litarin një femre. Po të ishit në një realitet çfarë do t’i bënit një femre? Do ta varnit në litar? Turp të të vijë! Gjë e fëlliqur!”, iu drejtua Arjani Locos.
24-vjeçarja Antonela Berisha hyri në programin e njohjeve pas largimit të Andit dhe Teas. Ajo është me origjinë nga Shkodra, por jeton në Milano të Italisë. Antonela është dizajnere mode, ndërkohë që djemtë e “Për’puthen” e ndiqnin në “Instagram” para se të hynte në lojë.
Gjatë rrugëtimit të saj ajo njihet për ngacmimet dhe batutat që u bën protagonistëve, sidomos në “luftën” me Ledianën për shkak të Mevlanit.
Panorama.al