Nga Bali në Bermuda, 6 vende tropikale ku mund të jetoni dhe punoni nga distanca
Koncepti i punës në distancë nuk është i ri. Por, ai pushtoi të gjithë botën pas fillimit të pandemisë Covid-19. Kjo sepse nuk kishte zgjidhje tjetër për të vazhduar punën.
Duket se ky normalitet i ri nuk do të largohet së shpejti.
Në fakt, shumë “nomadë dixhitalë” mund të bëjnë punën e tyre nga kudo – dhe të përfitojnë nga ofrimi i këtyre mundësive. Këta punonjës nuk kanë një vendndodhje të caktuar të biznesit dhe e sigurojnë jetesën e tyre duke punuar në distancë, nga kudo në botë.
Në përgjigje të këtij trendi në rritje, gjithnjë e më shumë vende po e bëjnë më të lehtë se kurrë për të punuar nga distanca.
Kjo listë përfshin edhe disa vende tropikale, të cilat mund ta bëjnë punën tuaj të duket sikur jeni me pushime gjatë gjithë vitit.
Më poshtë mund të gjeni gjashtë vende tropikale që ofrojnë programe për ta bërë më të lehtë udhëtimin dhe punën jashtë vendit.
Anguilla
Programi i Anguilla, “Lose The Crowd Find Yourself. Work. Life. Bliss.”, i jep mundësi nomadëve dixhitalë që të punojnë në këtë vend për tre deri në 12 muaj. Studentët dhe familjet gjithashtu mund të përfitojnë nga kjo përvojë. Vendi synon t’ua bëjë më të lehtë prindërve shkollimin në shtëpi të fëmijëve të tyre.
Antigua dhe Barbuda
Si pjesë e programit “Nomad Digital Residence” të Antigua dhe Barbuda, pjesëmarrësit mund të jetojnë në ishujt tropikalë deri në dy vite. Shërbimi i mirë i internetit është i garantuar. Megjithatë, ka disa kërkesa që duhen përmbushur për aplikimin.
Këto përfshijnë dorëzimin e një certifikate që specifikon se ju prisni të fitoni jo më pak se 50,000 dollarë çdo vit në Antigua dhe Barbuda, duke vërtetuar kështu se do të jeni në gjendje financiare për të siguruar jetesën tuaj gjatë kohëzgjatjes së qëndrimit në Antigua dhe Barbuda.
Bali, Indonezi
Një nga vendet më të fundit që iu bashkua këtij trendi është Bali, i cili po zhvillon një vizë për “nomadët dixhitalë” për të tërhequr punonjës të rinj që do të shpenzojnë më shumë para, duke shpresuar kështu se të forcojë ekonominë lokale, sipas Fortune.
Viza e re do të jetë e vlefshme për pesë vjet dhe të gjitha të ardhurat e fituara jashtë shtetit nuk do të tatohen, tha për Bloomberg Sandiaga Uno, ministri i Turizmit i Indonezisë.
Viza për nomadët dixhitalë që ofrohet nga Bali do të jetë më e gjata që ekziston në mesin e 33 vendeve të tjera që ofrojnë këtë program, raporton Fortune. Klima e bukur e Balit dhe kostoja e ulët e jetesës e bëjnë atë një vend të parapëlqyer për punonjësit në distancë.
Bermuda
Bermuda ofron certifikatën Work From Bermuda, e cila u jep mundësi punonjësve të kalojnë një vit duke punuar në Bermuda nga distanca.
Zhvendosja drejt një vendi të ri mund të jetë e frikshme, por Bermuda shpjegon gjithçka në faqen e saj të internetit për të ndihmuar të porsaardhurit që të përshtaten sa më mirë.
Ata që zgjedhin Bermudën kanë shumë burime në dispozicion, duke përfshirë edhe ndihmën nga Agjencia e Zhvillimit të Biznesit. Kjo agjenci mund të ndihmojë nomadët dixhitalë që të bëjnë biznes në Bermuda, të ruajnë lidhjet dhe të zhvendosin edhe familjet e tyre në këtë vend.
Barbados
Nëpërmjet programit Welcome Stamp në Barbados, nomadët dixhitalë nga SHBA lejohen të qëndrojnë në këtë vend deri në një vit. Paraprakisht, vizat kushtojnë 2,000 dollarë për një individ dhe 3,000 dollarë për një familje. Nomadët gjithashtu duhet të fitojnë të paktën 50,000 dollarë në vit.
Nomadët dixhitalë që qëndrojnë në Barbados mund të përfitojnë nga mospagimi i taksave lokale mbi të ardhurat. Tarifat dhe lehtësitë e tjera përfshijnë përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat në Barbados, si dhe të pasurit e një llogarie bankare lokale në këtë ishull.
Kosta Rika
Për t’u vendosur përkohësisht në Kosta Rika, duhet të vërtetoni se keni të ardhura të qëndrueshme në SHBA prej 3,000 dollarë në muaj për një individ, ose 4,000 dollarë në muaj për një familje. Do t’ju duhet gjithashtu dëshmi e sigurimit shëndetësor.
Nëse dëshironi të rinovoni vizën tuaj të nomadëve dixhitalë, gjithçka që duhet të bëni është thjesht të qëndroni në Kosta Rika për 180 ditë gjatë qëndrimit njëvjeçar, dhe kjo ju krijon mundësinë për më shumë udhëtime, duke përfshirë vizitat e kthimit në SHBA.
Nëse mund të punoni nga kudo, nuk do të ishte keq të konsideroni këto viza të “nomadëve dixhitalë”. Pse të mos punoni nga plazhi, nëse mund ta bëni këtë?/CNBC