Nertila Kapaj: Kam jetuar me truproja e shërbëtorë, pas humbjes së të dashurit s’e kam gjetur ende kriminelin e duhur

Ajo njihet si “vajza e 500 trëndafilave”, dhurata që i bënte shpesh i dashuri i ndjerë Jetnis Dollapi, miku i shumë VIP-ave që humbi jetën tragjikisht në një aksident me motor. Nertila Kapaj është modelja e ndjekur në rrjetet sociale, e cila tregon se fatkeqësisht rreziku e ka ndjekur gjithmonë në jetë, ndaj në film s’e pati aspak të vështirë. Ajo luan të dashurën e Arben Derhemit, bosit të drogës në serialin televiziv “Ti mund të më quash Xhon”, si pjesë e një kasti të njohur aktorësh. Në një intervistë për “Panorama Plus”, Nertila tregon se nuk iu desh të aktronte si të tjerët, pasi në jetë i ka përjetuar këto situata realisht.

Të pamë në një rol interesant në filmin “Ti mund të më quash Xhon”. Si ndodhi që u bëre pjesë e kastit dhe sa e lidhur ke qenë me aktrimin më parë?

Në fakt unë kam realizuar dhe dy filma të tjerë me “Papadhimitri Production”. Ishte ideja e regjizorit që të isha unë pikërisht ky rol, pra e dashura e bosit të drogës.

Siç tregove vetë luaje të dashurën e bosit të drogës që intepretohet nga aktori, Arben Derhemi. Patët kimi mes jush dhe çfarë mund të tregosh nga kjo eksperiencë me një aktor profesionist si Derhemi?

Unë isha e dashura e bosit të drogës, që do të thotë se isha krahu i djathtë i tij. Përderisa isha e dashura patëm kimi, ama vetëm në rol. Ishte eksperiencë e bukur, sepse Arbeni paraqiste burrërinë që sot është vështirë ta gjesh tek meshkujt shqiptarë. Pra ai e përjetonte këtë rol.

Përfaqësoje kukullën që nuk fliste, por që i jepte makinës dhe e shoqëronte të dashurin edhe në bisedat për pazaret e prishura me shpërndarësit e drogës. Si u ndjeve në atë pozicion, dhe në jetë do të mundje ta pranoje një gjë të tillë?

Pozicioni im ishte i tillë në film. Ndoshta për të tjerë është e lehtë të aktrojnë, ndërsa Nertila i ka përjetuar këto situata realisht. Pjesa më e madhe e aktorëve dhe shikuesve i kanë parë shumë gjëra veç në filma, ndërsa unë në jetën reale shoqërohesha nga bodyguards dhe shërbëtorë, pra vetë jeta ime ka qenë një film.

Pamë dhe një skenë puthjeje me Arben Derhemin. Ishte e vështirë dhe deri ku mund të guxosh me skenat hot në kinema?

Ajo skenë ishte pak e vështirë, por ishte pjesë e rolit dhe m’u desh ta luaja me profesionalizëm. Por s’do t guxoja më shumë.

Pas rolit në kinema cilat janë ambiciet e tua më tej sa i takon filmit apo televizonit?

Pas atij roli kam shumë plane që për momentin po i lë surprizë.

Në rrjetet sociale je njohur si vajza e “500 trëndafilave” nisur nga dhurata e të dashurit që humbi jetën në një aksident me motor. Cila është jeta që bën pas tani humbjes së tij?

Ka qenë e vështirë të pranoja humbjen e tij. Tani është një engjëll për mua që më mbron dhe do të donte veç më të mirën për mua.

Je shprehur se nuk do të ketë dashuri tjetër për ty. Vazhdon të mendosh njësoj?

Ajo që kam thënë është e vërtetë, dhe e vërteta nuk ndryshon.

Je komentuar si fotomodelja me format e rrumbullakosura. Bukuria të ka dëmtuar apo ndihmuar në jetë?

Bukuria është një plus që ndoshta të ndihmon, por të bëhesh e suksesshme në jetë ju siguroj që nuk arrihet vetëm se je e bukur.

Ka djem që këmbëngulin të kenë lidhje me ty, dhe kur do e hedhësh atë hap?

Nuk mund të them ka meshkuj që këmbëngulin, por doja që të thosha nëse ka ndonjë që s’këmbëngul. Kur do të jetë ai moment që të hedh atë hap s’e di sepse s’po gjej akoma kriminelin e duhur.(qesh)

Të josh rreziku në jetë dhe mund të na rrëfesh ndonjë aventurë të çmendur?

Nuk mund të them më josh rreziku, por fatkeqësisht rreziku më ka ndjekur gjithmonë. Ka shumë marrëzira në jetën time, por s’do ishte mirë t’i tregoj publikisht.