Nëntë-njakët arrijnë ditëlindjen e parë, të gjithë në shëndet të plotë, thotë babai (fotot)
Nëntënjakët e vetëm në botë – nëntë bebet nga Mali të lindura të gjitha në të njëjtën kohë – janë “në shëndet të plotë” teksa festuan ditëlindjen e tyre të parë, tha dje babai i tyre.
“Ata kanë nisur të lëvizin me zvarritje. Disa rrinë ulur dhe mund të ecin duke u mbajtur te diçka”, tha për rrjetin BBC, Abdelkader Arby, ushtarak në ushtrinë e Malit.
Bebet mbeten ende në klinikën në Marok ku dhe lindën, ndërsa nëna e tyre 26 vjeçare Halima Cissé, gjithashtu është mirë.
“Është e mrekullueshme, të gjitha bebet janë në shëndet të plotë, jemi të lehtësuar”, thotë babai që sapo është kthyer në Marok për herë të parë pas gjashtë muajsh, bashkë me bijën e madhe të çiftit, tre vjeçaren Souda.
Ata do të organizonin një celebrim të vogël me infermierët dhe disa fqinjë të shtëpisë, thotë zoti Arby.
Bebet kishin thyer rekordin botëror Guiness për numrin më të madh të fëmijëve të mbijetuar nga një lindje e vetme.
Para lindjes së tyre më 4 maj 2021, zonja Cissé ishte dërguar me avion në Marok për kujdes të specializuar nga qeveria.
Nëna dhe fëmijët jetojnë aktualisht në një “apartament të specializuar mjekësor” në pronësi të klinikës Ain Borja në kryeqytetin Kasablanca, ku dhe lindën.
“Përveç gruas time janë dhe infermierët që na ndihmojnë të kujdesemi për fëmijët”, shton babai.
Bebet – pesë vajza e katër djem – lindën pas 30 javësh shtatzanie, pra gati 7 javë para kohe dhe peshonin nga 500g deri në 1kg tha profesor Youssef Alaoui, drejtori mjekësor i klinikës Ain Borja në kohën e lindjes.
Djemtë quhen Mohammed VI, Oumar, Elhadji e Bah, ndërsa vajzat u quajtën Kadidia, Fatouma, Hawa, Adama e Oumou.
Secili prej tyre ka një karakter unik, thotë babai, duke falenderuar qeverinë për ndihmën dhe kujdesin për nëntë bebet.
Nuk janë të qarta detajet e lindjes së zonjës Cisse, por lindjet e shumëfishta zakonisht janë rezultat i trajtimit artificial të fertilizimit. Në këto raste, disa vezë fertizilohen njëkohësisht dhe implantohen në mitrën e gruas për të rritur së më shumë shanset e shtatzanisë.
Top Channel