Nëna, Dashuria, Ndarja: Aldo Sulollari sjell një film të dytë emocionues, xhiruar në Dubai
Aldo Sulollari, aktori dhe prezantuesi i njohur shqiptar, sjell për publikun filmin e tij të dytë, titulluar Nëna, Dashuria, Ndarja një produksion i metrazhit të gjatë që është xhiruar në destinacione unike si Dubai dhe Gjiri Persik. Ky film ka një tematikë tepër prekëse, duke u fokusuar tek emigracioni dhe vuajtjet e prindërve që shohin fëmijët e tyre të largohen për të ndjekur ëndrrat jashtë atdheut.
Filmi do të shfaqet në dy gjuhë, shqip dhe persisht, dhe është një histori që do të prekë zemrat e shikuesve, duke pasqyruar dhimbjen e ndarjes, por edhe forcën e dashurisë që i mban të lidhur ata që janë larg. Ai do të jetë i disponueshëm për shikim në çdo qytet të Shqipërisë, si dhe në platformat online, për audiencën në Shqipëri, Europë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky është projekti i dytë i Aldos, pas suksesit të filmit të tij të parë, një produksion horror që u transmetua në vendet latine. Në këtë film të ri, Aldo jo vetëm që merr rolin kryesor, por tregon edhe anën e tij më të thellë artistike, duke u larguar nga rolet komike që e bënë të njohur më parë.
Përveç karrierës së tij si aktor, Aldo është i njohur edhe për karrierën e tij si prezantues në televizionin shqiptar dhe për angazhimet e tij në gazetari dhe modeling, kryesisht në SHBA. Me postime provokuese dhe intervista të shumta, ai ka lënë të kuptohet se është gati të rikthehet fuqishëm në botën e modelingut.
Një film që ngre pyetje të thella për jetën, dashurinë dhe ndarjen, “Nëna, Dashuria, Ndarja” është një projekt që do të mbajë shikuesit të emocionuar dhe të menduar gjatë.
www.story.al