Në Varshavë, kuqezinjtë e Serie A sfidojnë Lewandowskin, Reja mban fshehur formacionin

Një ndeshje delikate, ajo kundër Polonisë, që kërkon natyrisht një tjetër mënyrë përballje me San Marinon modeste, nga e cila sigurisht tekniku Edoardo Reja do të ruajë boshtin e atyre që konsiderohen ‘të besuarit’ e italianit. Me dëshirën për të gjetur ekuilibrin e duhur taktik, me kujdesin për lojtarë specifikë të Polonisë si Lewandowski, por edhe për të mbështetur aspektin ofensiv, Reja i ka përzier kartat në seancat stërvitore në Varshavë, duke mos dhënë një indicje të qartë të formacionit me të cilin tekniku do të përballet me polakët: “Duhet të jemi të organizuar shumë mirë për të markuar Levandovskin sidomos në zonën e golit, sepse sulmon hapësirat në mënyrë të shkëlqyer. Nuk mjafton një lojtar por duhet të mbrojmë në grup mirë, mbase duke i vendosur një të dytë pranë. Ne do të evitojmë ti japim hapësirë këtij lojtari që nuk fal kurrë. Uroj të mos ket rendimentin që ka në klub, sepse e qartë që ekipi Kombëtar është më ndryshe”, zbuloi italiani nw konferencwn pwr shtyp.

FORMACIONI

Porta mbetet në balotazh, me asnjë nga portierët në pozitë më të favorshme se tjetri, por garancitë e dhëna nga Etrit Berisha në tre ndeshjet e para të fushatës kualifikuese për në Botëror 2022 e bëjnë portierin e Torinos, të tejkalojë në kandidaturë edhe Selmanin. Pjesa tjetër e skuadrës është më e formatuar, në linjë me ndeshjet e fundit. Ismajli, Kumbulla e Gjimshiti në qendrën me tre janë një kompletim i Serie A, që përforcohet edhe më shumë nga Elseid Hysaj që kthehet në korsinë e djathtë. Lenjani e Trashi spikasin në të majtë, ndërsa Laci edhe pse pret një shans, vështirë se mund të parakalojë ndonjë mes Bares, Gjasulës e Abrashit, me këtë të fundit që vjen pas një dëmtimi që i kërkon një lloj sakrifice në këtë rast. Qetësinë më të madhe Reja gjithësesi, ndoshta për herë të parë madje, e ka në repartin e avancuar ku Manaj-Cikalleshi janë favoritët e mëdhenj, por në pankinë Uzuni, Broja e Cekici nuk mund ti lënë asbolutisht të qetë zgjedhjet e para të teknikut italian.

STATISTIKAT

Me polakët gjërat nuk kanë shkuar fare mirë në përballjet direkte: vetëm një fitore në 11 ndeshje, nga të cilat 7 kuqezinjtë i kanë humbur. Pikërisht në 29 nëntor 1953 Shqipëria u imponua 2-0 në një miqësore, që në atë kohë balancoi përballjet me një fitore, një humbje e një barazim, por më pas erdhi një seri prej 8 ndeshjesh negative për kuqezinjtë. Në fakt situata bëhet më dramatike nëse heqim miqësoret nga bilanci: në gjashtë ndeshje kualifikuese mes europianit e boterorit, vetëm dy barazime, i fundit në 1984 në transfertë ai 2-2 që mbetet në kujtesë si një rezultat i rëndësishëm. Ajo që ndoshta vlen, në këtë pikë, është se vetëm një herë Shqipëria është mundur me më shumë se një gol diferencë nga polakët, që kanë shënuar 14 gola e kanë pësuar 7. Me Poloninë, që tani drejtohet nga Paolo Sousa, nuk jemi ndeshur që nga 2008, por fitorja që kuqezinjtë kërkojnë në Varshavë mungon prej 68 vjetësh. E duke parë se aventura e polakëve në Euro 2020 nuk ishte shumë e lumtur, ndoshta pikërisht tani është momenti për të guxuar të bëjmë një tjetër rezultat të madh, edhe pse përballë do jenë Lewandowski e të tjerët…

BAJRAMI, GATI KUNDËR HUNGARISË

Nedim Bajrami është emri më i përfolur i momentit në ambjentin kuqezi, duke qenë se përfitoi të drejtën për të përfaqësuar kuqezinjtë vetëm pak ditë, pas triumfit të FSHF-së në CAS, por për të parë debutimin e mesfushorit me fanellën e kombëtares duhet ende edhe pak kohë, ose më saktë deri në 5 shtator, në përballjen në Elbasan Arena kundër Hungarisë. Për ndeshjen me Poloninë, tekniku Edoardo Reja i kishte bërë llogaritë pa lojtarin e Empolit, duke qenë se nuk kishte siguri për shprehjen pozitivisht nga Gjykata e Lozanës për cështjen. Në fakt, Bajrami do ta humbasë ndeshjen e parë të shtatorit, atë të enjten kundër polakëve, por, pasi ka siguruar edhe lejen nga klubi i Serie A, do të bashkohet me kuqezinjtë të premten në Tiranë. Mesfushori do të vihet kështu menjëherë në dispozicion të Rejas për ndeshjen e 5 shtatorit kundër Hungarisë, ku kandidohet menjëherë për një fanellë titullari, jo vetëm për të freskuar repartin të mos konsumohet nga dy ndeshje impenjative radhazi në harkun e tre ditëve, por edhe për të ofruar më tepër fantazi në ¾ e fushës, një pozicion ku deri tani nuk është se kemi shkëlqyer. Starti i Bajramit në Serie A, këtë sezon, ka qenë më shumë se i mirë, duke shënuar në kupën e Italisë, duke dhënë asist në ndeshjen e parë, të humbur 1-3 me Lazion e duke udhëhequr Empolin në një fitore madhështore në Torino kundër Juventusit.