Në pranga për vrasjen e të riut nga Kukësi/ “Kobra” është dënuar 16 herë

Dibran Hoxhaj, i njohur edhe me nofkën “Kobra” është pronari i lokalit të natës me të njëjtin emër në Prizren. Ai është i dyshuar kryesor për vrαsjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu në orët e para të së martës së 3 janarit.

Ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti me të cilin po largoheshin pas sherrit në lokal, tre të rinjtë nga Kukësi. Nga të shtënat mbeti dhe një tjetër i ri i plagosur. Sipas mediave në Kosovë, Hoxhaj është i njohur për jetën e tij super luksoze dhe problemeve me drejtësinë. Zakonisht ai shfaqej nëpër emisione televizive me 25 truproja. Dibran Hoxhaj ka dosje të “pasur” në Policinë e Kosovës.

Lokali i tij “Kobra City” në Prizren është bastisur disa herë nga policia pas ngjarjeve që kanë ndodhur aty. Sipas Gazeta Express, Hoxhaj ka deklaruar se ka kryer 189 vepra penale. Ai ekspozohet shumë në rrjete sociale dhe e do famën. Hoxhaj jep dhe intervista televizive ku tregon jetën e tij superluksoze.

Është i apasionuar pas florinjve, makinave të shtrenjta dhe jetës së natës. Mbante varëse të trasha ari, unaza, vëth e byzylykë. Në intervistat e tij ai ka deklaruar se makinat i kombinon me veshjet. Në “TikTok”, ka rreth 200 mijë ndjekës. Hoxhaj pohonte se ishte “penduar” për veprat penale që ka kryer.

“Jam pendu dhe i sugjeroj gjithë rinisë që mos ta zgjedhin këtë rrugë për jetën time. Është jetë e vështirë dhe jo të gjithë e kanë këtë fat që ta mbijetojnë”, – deklaronte Kobra në një intervistë televizive disa kohë më parë.

Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, janë disa nga veprat penale, për të cilat Dibran Hoxhaj apo i njohur ndryshe me pseudonimin “Kobra”, është dënuar plot 16 herë gjatë periudhës kohore 2007 – 2021. “Kobra” deklaronte gjithashtu se mosmarrëveshjet me njerëzit atij i kanë filluar pas hapjes së lokalit.

Në lokalin e Dibran Hoxhajt ndodhi edhe sherri për faturën 400 euro që kishte shkuar në tavolinën e 3 të rinjve nga Kukësi. Pas konfrontimit fizik, të rinjtë që nuk kanë qenë të armatosur, janë qëlluar me armë nga Hoxhaj kur ata kanë qenë duke u larguar me makinë nga lokali. Si pasojë e plagëve të marra 31-vjecari Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Ndërsa 27-vjeçari Rufgen Shehu ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.