Në një moment të rëndësishëm të karrierës së saj, Riccardo Cocciante vjen në Shqipëri për Elhaida Danin

Para pak javësh, rikthimi në Tiranë i këngëtares së njohur, Elhaida Dani, bëri bujë në mediat rozë. Ajo paralajmëroi disa projekte të reja, por pa treguar asgjë konkrete. Më vonë, krejt papritur, lajmëroi që po sillte një album, “ZanIN”.

“Surpriza”, për të cilën këngëtarja kishte kohë që punonte, u zbulua mbrëmjen e djeshme, të hënën e 20 shtatorit në sallën e mbushur me adhurues të muzikës dhe zërit të saj.

Në koncertin e djeshëm nuk mungoi as këngëtari dhe kompozitori i madh italian, Riccardo Cocciante i cili tashmë ndihet pak a shumë si një kumbar i Elhaidës pas konkurrimit të saj në “The Voice Italia” ku ishte trajneri i saj.

“Unë kam qenë si kumbari i saj që nga fillimi kur ajo erdhi në Itali edhe e fitoi The Voicen pavarësisht se nuk ishte italiane dhe tregoi se nuk rëndësi etnia sesa ka talenti. Zëri dhe shpirti i saj e çuan në fitore’, ka thënë Cocciante për këngëtaren nga Shkodra nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.

Ai këndoi disa nga hitet e tij në mbrëmjen e Elhaidës, mes tyre “Margharita”, këngë që është konsideruar si himn dashurie.

Albumi i këngëtares është pritur mjaft mirë si nga fansat por edhe nga kolegët e saj, të cilët nuk i kanë kursyer lëvdatat, edhe në rrjetet e tyre sociale.

/News21