Ndryshime në listën e Kombëtares / Ernest Muçi vihet nën urdhrat e Rejas
Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve të fundit të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Anglisë dhe Andorrës. Stafi teknik kuqezi ka mbërritur që këtë të dielë në kompleksin Tropikal të Durrësit ashtu si edhe një pjesë të futbollistëve të ftuar nga trajneri Edoardo Reja.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka një ndryshim të fundit në listën e Kombëtares. Sulmuesi Ernest Muçi do të vihet në dispozicion të Kombëtares A që nga dita e nesërme për dy ndeshjet e Botërorit 2022.
Lojtari i Legias së Varshavës ishte në listën e Kombëtares U-21 për ndeshjet e Europianit ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, por tashmë ai do të kalojë në urdhrat e trajnerit Reja.
Në vendin e tij në Kombëtaren U-21 është thirrur Eridon Qardaku, futbollist i cili aktivizohet me Bylisin e që ka qenë edhe më parë pjesë e skuadrës Shpresa. Qardaku është vënë menjëherë në dispozicion të ekipit U-21, që ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjet e EURO 2023 ndaj Sllovenisë dhe Kosovës më 12 dhe 16 nëntor.