Ndryshime në jurinë e “The Voice of Albania 6”, Alban Skënderaj i konfirmuari i parë
Alban Skënderaj është emri i parë i konfirmuar në jurinë e “The Voice of Albania 6”, që pritet të ketë ndryshime të tjera, duke qenë se këngëtari i njohur nuk do të jetë i vetmi anëtar i ri. Artisti u rikthye në majat e klasifikimeve këtë vit dhe realizoi disa prej koncerteve më të bukur të vitit. “Artisti Mashkull i Vitit” në “Top Awards”, do të jetë ulur në karrigen e kuqe për të zbuluar zërin më të mirë të këtij edicioni të “The voice”, që transmetohet në “Top Channel”. Karriera muzikore e Skënderaj u zhvillua me hapa të shpejtë që pas pjesëmarrjes së tij në “Top Fest 2”, edicioni që e shpalli fitues. Duke u konsideruar si një nga këngëtarët më të dashur të dekadës së fundit, ai vjen me eksperincën e tij unike si trajneri i talenteve të rinj. Këngëtari numëron tri albume, dhjetëra këngë, si dhe shumë bashkëpunime me artistët më të pëlqyer të momentit. Skënderaj festoi 10-vjetorin e karrierës muzikore me koncertin recital “Tingujt e ditarit tim”. Vetëm vitin e fundit ka publikuar katër këngë, të cilat janë kthyer menjëherë në hite, si: “Unë dhe ti”, “Duart lart”, “Kam nevojë”, “Engjëll”. Le të shohim se cilët do të jenë emrat e tjerë profesionistë që do të bëhen këtë vit pjesë e “The Voice of Albania”, produksioni me autor dhe moderator, Ledion Liçon.