“Ndoshta nuk do kisha jetuar më”, Arjan Konomi tregon çfarë ndodhi në Jordani
Pak ditë më parë Arjan Konomi njoftoi nga Jordania se kishte pësuar një aksident dhe kishte plagosur krahun. Opinionisti ishte bërë operacion dhe përmes një videoje live në Tiktok ka shpjeguar së fundmi çfarë ka ndodhur. Konomi tregoi se ishte rrëzuar nga kali në ditën e tretë të vizitës në Jordani, një udhëtim që e kishte ëndrruar prej vitesh e që nuk shkoi siç e kishte parashikuar.
“Rënia nga kali thonë që është shumë e rrezikshme. Unë rashë në shkëmb me brryl. Ishte vërtet e tmerrshme sepse pas rënies kocka e brrylit çau mishin e trupit, doli jashtë dhe e kisha kockën jashtë, gjaku lau rrobat, u bë një pellg dhe nuk pushonte. Me dorën time kam kapur kockën e krahut për ta futur në vend. Aty më ndihmoi dhe ai djali i guidës dhe një tjetër. Një situatë e llahtarshme. Duke e tërhequr ata fort, unë arrita ta vendosja kockën brenda mishit dhe ta ngecja. Doktori më tha pas operacionit se nëse nuk do e kisha bërë këtë ndoshta nuk do kisha jetuar më sepse edhe në rastin më të keq që do kisha shpëtuar prej hemorragjisë, në atë formë që kishte dal kocka, edhe ato pak damarë që nuk ishin këputur, do ishin përdredhur në mënyrë të tillë sa nuk kalonin më gjak. Më pas më çuan në qendër shëndetësore dhe gjatë gjithë rrugës më binte të fikët, më kujtoheshin filmat që kemi pas parë. Aty e tërhoqën dhe njëherë fort pjesën e parakrahut, por problem ishte që venat ishin këputur dhe nuk kisha më puls. Më pas më çuan në spitalin e kryeqytetit në Amman, spitali më i mirë privat atje. Bënë grafi dhe thanë krahun me shumë mundësi e ke humbur, megjithatë do shikojmë gjatë operacionit…”, tha Konomi e më pas tregoi se iu hapën probleme edhe me pagesën për operacionin, por një djalë nga Londra e kishte ndihmuar.