Ndizet gara/ Ardit Çuni dhe Elvana Gjata, pretendenët kryesorë për të fituar “Fest 63”?
“Festivali i Këngës” në RTSH, një nga ngjarjet muzikore më prestigjioze që zhvillohet në Shqipëri, ka publikuar pasditen e djeshme 30 këngët e artistëve konkurrues, në kanalin e tyre në You Tube. Por vetëm pak orë nga publikimi i këngëve duket se gara është ndezur fuqishëm. Pretendentët kryesorë për të fituar kupën e “Fest 63”, duket se janë dy artistë deri tani; Ardit Çuni me këngën “Amane” dhe Elvana Gjata me “Karnaval”.
Në të gjitha sondazhet e hapura nga fansat dhe faqet dedikuar Festivalit Europian, Elvana dhe Arditi rezultojnë më të votuarit. Arditi konkurron me një këngë shumë moderne dhe ritmike, që i pëlqye dhe u përqafua nga publiku menjëherë. Ndërkohë Elvana sjell një këngë ndryshe nga stili i repertorit të saj ndër vite. Koncepti vizual i këngëve, i cili ka dalluar për frymën moderne, u realizua nga regjisori i Festivalit, Redi Treni.
Drejtuesja artistike e edicionit të 63-të, Elhaida Dani, u shpreh se qëllimi i publikimit të këngëve këtë edicion në formatin e tyre të plotë, ishte për “të krijuar një lidhje më të fortë mes këngëtarëve, kompozitorëve dhe publikut”.
“Festivali i Këngës” do të mbahet në datat 19-22 dhjetor, dhe si çdo vit do të garohet për çmimin e madh, ku fituesi/ja do përfaqësojë e Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025./www.story.al