Ndarja nga jeta e Guljelm Radoja, artistët në dhimbje shprehin ngushëllime
Kinematografia shqiptare u zgjua sot me një lajm të trishtë: Artisti i merituar Guljelm Radoja u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pasi nuk arriti ta fitonte betejën me Covid-19. Prej ditësh ai ishte në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Regjisorë e aktorë të njohur kanë shprehur sot me dhimbje ngushëllimet e tyre në rrjete sociale.
Rozana Radi, Gentian Zenelaj, Kastriot Çipi, Rezart Veleshnja, Elma Doresi e Irgen Çela janë disa nga artistët që me zemër të thyer i kanë kushtuar disa fjalë Radosë në Instagram e Facebook.
“Dy javë piva helmin tënd. Sot më dhe dozën e fundit. Më helmove shpirtin miku im i shtrenjtë,” shkruan ndër të tjerash regjisori e përkthyesi i dramava Kastriot Çipi.
Ndërkohë Rozana shprehet: “I trishtë ky mëngjes pa ty profesor! Sa shumë na dhe, por nuk jam e sigurt nëse more edhe gjysmën e asaj që i dhe publikut”.
Guljelm Radoja prej javësh ishte i infektuar me koronavirus e për shkak të rëndimit të gjendjes së tij nga spitali i Durrësit u soll në Tiranë te “Shefqet Ndroqi”. /News31