Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar Bardhyl Londo, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë

Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare shkrimtari i njohur shqiptar Bardhyl Londo. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, me të cilën nuk ia doli dot.

Pak ditë më parë, një prej miqve të tij, postoi në Facebook një shkrim ku tregonte se poeti “po luftonte në këto ditë të vështira me vdekjen”.

Por miqtë dhe familjarët kanë ndarë këtë të premte të 18 shkurtit lajmin e hidhur për vdekjen e tij.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka postuar në rrjetet sociale lajmin e hidhur dhe shkruan:

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 74-vjeçare të poetit Bardhyl Londo, një ndër emrat më të rëndësishëm të poezisë shqipe, ish-redaktor pranë gazetës “Drita”, ish-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve deri më 1998. Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë organizuar nga QKLL-ja dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike”.

Bardhyl Londo lindi në vitin 1948 në Përmet. Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës.

Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”.

Për disa kohë ka qënë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA).

Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.