Ndahet nga jeta publicisti i njohur!

Pas një sëmundjeje u nda nga jeta sot në moshën 80-vjeçare Prof. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar.

Ai u lind në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare, pasi shtëpia e tyre u bë bazë e rëndësishme, ku strehohej Heroi i Popullit, Bajram Curri. Pasi kreu studimet e larta për Gjuhë-Letërsi Shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në vitet 1963-1965 punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”.

Ka studiuar e botuar dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociiuar”.

Në vitin 2011 u përfshi në Institutin e Integrimit të Kulturës shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit dhe i marrëdhënieve me publikun. Për një periudhë afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972).

Është autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj. Një vit pas luftës në Kosovë, e vizitoi për herë të parë. Përshtypjet e tij i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), që mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”. Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001; ribotuar më 2008), “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”(Kumanovë, 2002) e “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002) dhe “Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006; librin jetëshkrimor ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010),”Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”-përmbledhje kujtimesh(Tiranë, 2010) dhe ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011). Për shkak edhe të situatës së pandemisë, miqtë e tij të afërt nga fusha e letrave; Bardhyl Xhama, Hysen Ibrahimi, Sejdo Harka, Viron Kona, Kadri Tarelli, dhe Arif Hasko i shkruan një letër lamtumire Gecajt ku shprehën pikëllimin për humbjen e njeriut të rrallë, autor i 17 librave ndërkohë që publikoi shkrime vazhdimisht në media të ndryshme edhe pse ishte në pension.

www.story.al