Ndahet nga jeta artistja e njohur shqiptare
Ganimet Vendresha, kryebalerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Ganimet Vendresha është një nga artistet tona të rralla që me dashurinë e saj ndaj disiplinës së baletit, ka mbajtur të gjallë dhe ka frymëzuar ëndrrën e shumë të rinjve e të rejave në vend, transmeton ‘tirananews.al’.
Lajmin e hidhur e ka bërë me dije, mbesa e saj, Ajola Xoxa, e cila thotë se ajo ndërroi jetë mbrëmë, e rrethuar nga njerëzit e saj më të dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e një njeriu të bukur brenda dhe jashtë.
“Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu të bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte në jetën e vet”.
Homazhet do të kryhen nesër, 30 shtator, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe varrimi në orën 13:00 në varrezat e Tufinës.