Ndahet nga jeta aktori i njohur shqiptar Anastas Kristofori, gjerësisht i njohur për rolin e Perikliut tek ‘Pallati 176’
Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur shqiptar Anastas Kristofori, i cili është gjerësisht i njohur dhe do të mbahet mend gjatë për rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176”.
Lajmin e kanë konfirmuar miq e të afërm të aktorit që kanë postuar në rrjetet ngushëllimet për ndarjen nga jeta të tij.
“Lamtumirë o shpirt i lirë që nuk bëre asnjë kompromis në jetë! Tu bëftë dritë rruga për në përjetësi! Shko ne paqe ne qiellin e amëshuar!Atje lart të presin krahëhapur njerëzit e tu më të dashur. U prehsh në paqe i madhi Anastas Kristofori”, shkruan një nga të afërmit.
“Lamtumire i madhi Anastas Kristofori.
Lamtumire o shpirt i lire dhe I bukur .
Do mbetesh i paharruar ne zemrat tona .
U prehsh ne paqe , paqen dhe lirine qe i deshe ti i deshe aq shume”, shkruan një tjetër i njohur i aktorit në rrjetet sociale.
Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Jetëshkrimi
Anastas Kristofori është një aktor shqiptar që ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës.
Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970,fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.
Të shumtë do të ishin interpretimet e tij në skenën e këtij teatri.
Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli I sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.
Në kinematografi roli I tij I parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982,rolin e z.Antonio,Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984,rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.
Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.