Natyrë e (pa) qetë… Së shpejti në një reality show?!
Dita nis herët, sapo këndon gjeli. Pastaj pamjet shkojnë te viçat e vegjël që ushqehen me qumështin e lopëve, të cilat pak më vonë milen nga duart e një gruaje. E kështu punët e fshatit vazhdojnë derisa dielli perëndon, ikën pas malit dhe mbyll ciklin e një dite, me një “Së shpejti” në fund.
Një frazë kjo që ka ngritur shumë pyetje dhe e ka ngjallur edhe më shumë kuriozitetin, ndërsa në ekranin e “Vizion Plus” e nëpër “social media” ka nisur të qarkullojë edhe një druvar misterioz, që ecën nëpër pyll, veshur me çizme e me sëpatë në dorë, shoqëruar nga hingëllima e kuajve të bukur dhe muzika si e ndonjë një filmi “triller”, derisa shfaqet sërish ajo “Së shpejti”.
Çfarë po komunikohet përmes këtyre pamjeve nga fshati!? Frekuencat e ndonjë filmi të ri? Xhirimet e ndonjë telenovele!? Apo janë thjesht spotet paralajmëruese të fillimit të një produksioni të ri në ekranin e “Vizion Plus”!?
Për të kuptuar më mirë e për t’iu afruar më shumë versionit të saktë, mjaftoi të “përgjonim” pak Instagramin e producentes Holta Dulaku, e cila vetëm pak kohë më parë postoi një peisazh të bukur, natyre, qielli që puthej me tokën…
Pastaj, në një tjetër postim nxori pamjet e një zyrë pune, ku bënte me dije se punët e shumta kishin nisur t’ia zaptonin gjithë ditën. Veç këtyre detajeve, po t’u referohemi dhe zërave që kanë nisur të qarkullojnë nëpër Tiranë, “puzzle” bëhet edhe më i qartë: se Holta Dulaku po punon dhe ka mbledhur ndërkaq ekipet, për të krijuar një produksion të madh, një “reality show”, që do ta sjellë së shpejti në ekran. Kënga e gjelit, muu-ja e lopëve, sëpata e druvarit, hingëllima e kuajve, pemët, gjethet… na e çojnë mendjen drejt e në një fshat. Se ku gjendet ky fshat e se çfarë do të ndodhë aty, presim ta zbulojmë së shpejti!
Revista Who