Na vjen keq Silva, por Cardi B nuk po dëgjonte “Të ka lali shpirt”
Nuk është e rrallë që artistë të famshëm të dëgjojnë këngë shqiptare, fundja shumë projekte nga këngëtarët tanë janë bërë pjesë e tregut ndërkombëtar, por “historia” që do lexoni më poshtë ka një tjetër mesazh: “Mos besoni çdo gjë që shihni në internet.”
Silva Gunbardhi mbrëmjen e djeshme postoi një video në profilin e saj në Instagram, ku shihet reperja Cardi B duke dëgjuar këngën e saj “Të ka lali shpirt”. Këngëtarja shqiptare i shpreh dashurinë reperes dhe duket se krenohet që ajo po dëgjon krijimin e saj dhe në fakt shumë mirë bën, por problemi i vetëm është që video-ja është montazh.
Tek komentet në këtë postim Silva shprehet e sigurtë që ky moment nuk është montazh dhe se një mikja e saj e ka regjistruar video-n kur Cardi ka qenë “live” në Instagram, por nuk është ekzaktësisht kështu.
Përveç faktit që Cardi duket që është në shtëpi duke ngrënë, ne si dedektivë të vërtetë që jemi, gjetëm “live”-n e plotë të regjistruar. Po, interneti është një vend i mrekullueshëm dhe plot me mundësi.
Në minutën 7:45, që do ta shihni edhe më poshtë, mund të dëgjoni se në momentin kur Cardi vë këngën që supozohet të jetë “Të ka lali shpirt”, nis një këngë tjetër.
Faktin që reperja e famshme po dëgjonte këngën shqiptare, disa portale e bën menjëherë lajm, pa kontrolluar asnjë fakt, megjithatë kjo nuk na habit.
Pra video-ja e Silvës është një montazh shumë i mirë, me shumë mundësi nga ndonjë faqe në Instagram. Na vjen keq, por këtë herë Cardi nuk po dëgjonte këngën tënde.
/News31.al