“Na morën për punë, por na detyruan të ‘shisnim veten”, denoncimi i një ‘viktime’ çon në shkatërrimin e grupit italiano-shqiptar të prostitucionit. Detaje
Një aksion i befasishëm i policisë italiane ka vënë në pranga shtatë persona, me akuzën e detyrimit të vajzave të reja italiane dhe shqiptare që të prostituojnë veten në një klub privat në Varedo (Monza). Më parë ky kishte qenë një bar normal, por që më pas e kishin shndërruar në klub nate.
Mediat e huaja bëjnë me dije se pjesë e grupit të shfrytëzimit ishin italianë dhe shqiptarë, të cilët u arrestuan mëngjesin e ditës së sotme në shtëpitë e tyre në Varese, Milano, Monza Brianza, Como, Lecco dhe Alessandria.
Nga informacionet paraprake mësohet se të arrestuarit kanë përfituar nga vështirësitë ekonomike të vajzave, duke iu ofruar punë dhe më pas i detyronin ato ‘shisnin veten’.
Hetimi u nxit nga njëra prej vajzave, e cila denoncoi në polici faktin se ato ishin viktima të dhunës.
Vajza tregoi se ishte detyruar të merrte alkool dhe drogë dhe më pas e kishin dhunuar. Nga deklaratat e saj policia u kthye përsëri në klubin “Smeraldo”, në pronësi të P.S., 72 vjeç, që besohet se ishte promovuesi i rrjetit të shfrytëzimit së bashku me djalin e tij F.P., dhe E.M., 49 vjeç, të gjithë banues në provincën e Monza dhe Lecco. Anëtarët e tjerë të grupit bashkëpunuan me detyra të ndryshme, ndërsa ndihmë kishte dhënë edhe shqiptari E.M., 28 vjeç.