“Na lini të jetojmë” Alban Emiri: Në Shqipëri më thonin s’dija të këndoja, në Itali mbushja sheshet

Alban Emiri është një nga emrat e njohur të muzikës së lehtë shqiptare, i cili në fillim të viteve ’90 spikati me këngët “Na lini të jetojmë”, “Quo Vadis brezi im” dhe “Po u nise, të paktën do të jesh Don Kishot”. Kompozitori, kitaristi dhe këngëtari jeton në Itali prej pothuajse 27 vjetësh.

Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, në Radio Tirana, Emiri kujton vitin 1997, kohë kur vendosi të largohej nga Shqipëria. “Kisha mbaruar studimet për inxhinieri elektronike. Më pas studiova për kompozicion. Mbarova vitin e parë, bëra të gjitha provimet dhe ika. Ishin rrëmujat e ’97-ës, që ndikuan në vendimin që mora.”

I pyetur nëse është penduar që është larguar në Shqipëria, ai shprehet: “Vitet e para në Itali kanë qenë mjaft intensive. Me grupet muzikore atje realizonim 300 mbrëmje muzikore në vit. Nuk kishte kohë për pendesë. Por jeta e një emigranti është e vështirë dhe lindin mendimet “po sikur?”. Është më mirë të mos mendohesh dhe të ecësh përpara.”

Ka një arsye përse Alban Emiri, në fillimet e tij, ka zgjedhur të krijojë këngë dhe të luajë kitarë se sa të këndojë në skenë. “Të gjithë shokët e ngushtë më thoshin “Lëre se nuk di të këndosh, nuk ke zë”. I besoja dhe kisha frikë të këndoja.”

Në albumin “Duam të jetojmë” të vitit 1995, Albani prezantohet edhe si këngëtar në këngën “Stresnajë”, që siç shprehet ai ishte thjesht për të pasur një kujtim.

“Në vitin 1999 në Itali, jo vetëm luaja kitarë por edhe këndoja me grupin. Ata më thanë që ke një zë të veçantë, zgjidh një këngë të këndosh. Zgjodha një këngë në spanjisht që më pëlqente shumë “Asi fue” (Ashtu ishte). Një këngë e panjohur këtej. Pati sukses të jashtëzakonshëm. Shisnim CD dhe transmetohej shumë në radio. Kjo këngë solli në modë në Itali ritmin dhe kërcimin e bachata-s. Atëherë nuk e dinim çfarë ishte. Pastaj, në vitin 2002, shpërtheu moda e kërcimit të bachata-s me këngën “Obsesion” të Aventurës. Pra unë këtu vura vulën, dija apo nuk dija të këndoja, në koncertet tona në sheshe mblidheshin 4-5 mijë veta. Kur publiku ulërinte dhe blinte CD, mendova që ata kanë të drejtë dhe jo shokët e mi.”

Vitet e fundit është prezantuar edhe me një album me këngë të kënduara në gjuhën italiane. Në këngën “Dimmi” ai shoqërohet nga bashkëshortja.

Albani thotë se edhe vajza e tij ka talent në muzikë por i mungon dëshira.

“Në shtëpi ka studio regjistrimi dhe instrumente, por nuk do. As unë nuk kam dashur që muzika të jetë profesion për të. Kam pasur shumë vështirësi në karrierën time edhe pse në një kohë dhe vend tjetër. Nuk desha që edhe ajo të kalonte këto vështirësi. Kisha dëshirë që ta studionte siç kam studiuar unë pianon që 6 vjeç. Ta mësonte instrumentin për qejfin e saj, por jo si profesion.”

Emiri premton se është duke menduar për një koncert recital dhe shumë shpejt do të prezantohet me këngë të reja në shqip.

/rtsh.al/