Muzika jazz pushton Tiranën/ Ç’po ndodh netëve të festivalit “Balkan Jazz Showcase”
Grupe muzikore me artistë shqiptarë dhe të huaj marrin pjesë këtë vit në edicionin e tretë të festivalit “Balkan Jazz Showcase”.
Festivali nisi mbrëmjen e 26 prillit në Tiranë dhe edicioni i tretë vjen me temën “Italy meets Balkans”. Ky edicion është një bashkëpunim midis grupeve xhaz nga Ballkani dhe Italia. Në këtë edicion marrin pjesë grupe xhazi nga Italia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Projekti “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e tretë ka si qëllim mbështetjen dhe promovimin e krijimtarisë ballkanike dhe artistëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në interpretimet e muzikës xhaz sipas arritjeve individuale dhe tregut muzikor ballkanik, duke krijuar kështu mundësinë e shkëmbimeve dhe rezultateve afatgjata.
Ky festival do të zhvillohet deri më datë 29 në Tiranë. Edicioni i 3-të, vjen si një projekt shumëdimensional në fushën e muzikës dhe artit, pas organizimit me sukses të dy edicioneve të para, duke e përfshirë Tiranën në axhendën e festivaleve të këtij lloji që organizohen në Europë dhe Ballkan. Festivali “Balkan Jazz Showcase” zhvilloi edicionin e tij të parë në Tiranë në vitin 2018. Festivali “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e tretë me temën “Italy meets Balkans” vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive artistike dhe kulturore, që po zhvillohen gjatë kësaj kohe në kryeqytet.