Muçin e sulmojnë tifozët në autobus, edhe Uzuni mbetet pa trajner
Situata te klubi i Legias së Varshavës ku aktivizohen Ernest Muçi, Jurgen Çelhaka, si dhe lojtari i Kombëtares së Kosovës Lirim Kastrati, sa vjen edhe përkeqësohet. Pas humbjes së kësaj fundjave, Legia renditet në vendin e fundit në kampionat, pas 16 javësh të luajtura.
Kujtojmë që dihen synimet e këtij ekipi pasi sezonin që kaloi u shpallën kampionë. Kjo gjë ka sosur edhe durimin e tifozëve që kanë sulmuar autobusin e lojtarëve gjatë kthimit për te qendra stërvitore. Një grup personash kanë ndalur autobusin dhe kanë hyrë në të duke tentuar të sulmojnë fizikisht disa lojtarë. Ndërhyrja e shpejtë e policisë ka sjellë edhe shpërndarjen e turmës.
Shqiptarët e Legias do të jenë nën drejtimin e trajnerit të ri, serbit Aleksandër Vukoviç. Përveç Legias, edhe skuadra e Myrto Uzunit ka njoftuar se ka shkarkuar nga drejtimi trajnerin Piter Stoger pas tri sezonesh te Ferencvaroshi, dhe në ditët në vijim do të zbulohet edhe emri i trajnerit të ri që do të ketë nën urdhrat e tij edhe sulmuesin e Kombëtares Myrto Uzuni.