Mrekullia e 8-të e Lionel Messi, shpallet fituesi i “Topit të Artë”

U shpall në Paris fituesi i trofeut prestigjioz “Topi i Artë” në edicionin e tij të 67-të. Lionel Messi u shpall fitues i këtij trofeu për herë të 8-të në karrierën e tij duke u bërë futbollisti më i vlerësuar në botë. Rivalë të tij këtë vit ishin Kylian Mappe dhe Erling Halaand.

Sulmuesi i Manchester City u rendit i dyti ndërsa francezi i PSG-së u rendit në vendin e tretë. Kevin De Bruyne mbeti në vendin e katërt. Në këtë mënyrë argjentinasi ka shkruar emrin e tij në listën e fituesve të këtij trofeu si askush tjetër.

Sezonin e fundit, 36-vjeçari argjentinas shënoi 42 gola dhe realizoi 26 asiste në 56 ndeshje në total. Përveç titullit të kampionit të fituar në Ligue 1 si dhe të Superkupës së Francës, argjentinasi udhëhoqi kombëtaren e tij drejt triumfit në Kupën e Botës “Katar 2022”, të parën në karrierën e tij si futbollist.

Ai u zgjodh edhe si futbollisti më i mirë i turneut. Trofeu i “Topit të Artë” iu dorëzua nga ish-futbollisti anglez, David Beckham.

“Do të doja të falënderoja Diegon Maradonën për ditëlindjen e tij. Nuk do të kishte vend më të mirë për ta uruar se sa ky në këtë ditë. Gëzuar ditëlindjen Diego” – ishin fjalët e Leos pas marrjes së trofeut. “Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më votuan. E ndaj këtë trofe me bashkëlojtarët e mi në kombëtare. Është një dhuratë për të gjithë Argjentinën”.

Më pas foli për Haaland i cili sipas tij “pati një vit spektakolar. Unë shoh shumë të rinj dhe jam i sigurt se ata do të na japin futboll të madh”.

https://www.youtube.com/watch?v=804KXUHK7lM

©LAPSI.al